Kanali 7...

“Aferë me aeroportin e Vlorës”/ Tabaku: Privati do të fitojë miliona euro nga buxheti

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka kritikuar projektin për aeroportin e Vlorës.

 

Në një deklaratë për mediat, ajo denoncoi se projekti do të shkatërrojë zonën e mbrojtur në zonën e Vjosë-Nartës. Por, përpos shkatërrimit të zonës së mbrojtur, Tabaku konstaton se ky projekt në vetvete është korruptiv.

 

Sipas Tabakut, “Kontrata koncesionare që i është falur këtij konsorciumi dhe që do të ndërtohet në një zonë të mbrojtur natyrore ka një vlerë prej 138.2 mln euro.” Kjo kontratë koncensionare, thekson deputetja, është dërguar në SAPK.

 

“Ditën e djeshme në kuvendin e Shqipërisë ngritja një çështje që si deputete dhe si kryetare e komisionit të integrimit më është dashur ta ndjek; aeroportin e Vlorës. Kontrata koncesionare me vlerë 138.2 mln euro është fituar nga një konsorcium që zotërohet nga dy kompai; e para është kompania turke që ndërtoi falas spitalin e Fierit dhe kompania e dytë është e afërt me kryeministrin.

 

Sipas kontratës qeveria i ka garantuar konsorciumit se do t’i paguajë 9.6 mln euro apo diferencën nëse në 4 vite konsorciumi nuk fiton të ardhura nga fluturimet në këtë vlerë. Po ashtu nëse konsorciumi nuk fiton në vitin e 13 shifrën prej 18.7 mln euro do jenë taksat e shqiptarëve që do t’ia paguajnë.

 

Në total, në fund të kontratës koncesionare kompania fituese e një tenderi që sot është dërguar në SPAK do të përfitojë 138.2 mln euro nga buxheti shtetit një vlerë që sipas investigimit dhe letrave është 30% më shumë se sa kosto e ndërtimit. Kjo është një tjetër skemë tipike korrupsioni ku qeveria është e përfshirë dhe qartësisht ka favorizuar një palë”, tha Tabaku.