Kanali 7...

Agron Duka: Mund të garojmë edhe vetëm, Kodi penalizon të vegjlit

Partia Agrare Ambientaliste mund të garojë e vetme në zgjedhje. Kreu i PAA, Agron Duka nuk e përjashtoi këtë mundësi, ndërsa nuk fshehu pakënaqësinë për listat e mbyllura të kandidatëve. Në një intervistë për emisionin “Quo Vadis” në “Vizion Plus”, Duka deklaroi se për të marrë vendimin përfundimtar do të kryejë negociatat e fundit.

 

“Neve, na hoqi të mundësinë për të garuar me këtë lloj Kodi, kësaj pyetjeje unë do t’i përgjigjem pasi ne të negociojmë dhe të shohim sesi do dalim në zgjedhje, nëse ne do futemi në listën e PD-së, është thjesht negociatë sepse listat janë të mbyllura, janë lista të mbyllura që shiten si të hapura. Pra dihet nëse ne do kemi një ose dy kandidatë në listën e PD-së atëherë do të të them unë ty sa do kemi, në rast se ne nuk do biem dakord ose do shohim që dalja në vete në një grup tjetër partish, nuk i prish punë koalicionit, përkundrazi mund të bëhen tre lista, atëherë unë mund t’ju jap juve sa mandate mund të synojmë. Megjithatë supozojmë për një moment se do dalim më vete me ndonjë koalicion të partive të vogla, natyrisht ne synojmë që të kemi një grup parlamentar në Parlamentin e ardhshëm, në Parlamentin shqiptar me gjithë problematikat që sjell Kodi i ri Zgjedhor.”

 

Sipas Agron Dukës, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u bënë me qëllim që të dëmtoheshin partitë e vogla.

 

“Unë mendoj që synimi ai ka qenë, pikërisht sepse PD-ja ka shumë aleatë, me kodin e vjetër zgjedhor, me ato aleancat klasike, aleatët kërkojnë më pak vota për të nxjerrë një deputet, nga ana tjetër teprica, ose në rast të kundërt kur arrijnë të nxjerrin deputetë kalojnë në të mirë të opozitës së përbashkët. Në këtë rast nëse del vetëm, duke u prishur këto koalicione klasike ose duhet të arrisht numrin e votave, i cili rritet akoma më shumë për të nxjerrë deputetë, ose përndryshe këto vota shkojnë dëm. Unë mendoj që kodi zgjedhor ka ndryshuar pikërisht për këtë punë, pra për t’i hequr mundësinë partive aleate të PD-së të kandidojnë me siglat e tyre.”