Kanali 7...

“Ballkani i Hapur”/ Kurti: Kosova dhe Shqipëria të ruajnë marrëdhëniet vëllazërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëriti kundërshtinë e tij për minishengenin rajonal. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë bërë bashkë në nismën “Ballkani i Hapur” për t’i dhënë zë bashkëpunimit rajonal. Por Kosova, tha Kurti, nuk mund të jetë pjesë e kësaj nisme përsa kohë presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk ballafaqohet me të kaluarën.

 

“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve. Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’ pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha ai për mediat kosovare.

 

Kurti shtoi se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë vëllazërore dhe bëri thirrje që të vijojnë të qëndrojnë të tilla, pavarësisht politikave.

 

“Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve.”