Kanali 7...

Basha vë maskën dhe akuzon Ramën: SPAK të hetojë inceneratorët, ai po ndan miliona me oiligarkët

Ditën që hyri në fuqi akti normativ i qeverisë, Lulzim Basha doli në konferencë për shtyp me maskë duke u fokusuar sërish tek situata e krijuar si pasojë e koronavirusit, e cila sipas tij është e rëndë.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

“Pa diskutim që prej ditësh së parë të pandemisë, i kam bërë thirrje dhe i bëj thirrje qytetarëve të marrin gjithë masat që mund të marrin vetë, sepse siç e shikoni, këto mostra e kanë lënë shoqërinë në mëshirë të fatit. Ju kanë lënë juve si prindër në mëshirë të fatit. I kanë lënë fëmijët tuaj, fëmijët tanë në mëshirë të fatit. Aq sa mund të bëni, duhet patjetër ta bëni që nga maskat, që nga distancimi social dhe higjienën, pa diskutim. Kush ju thotë të kundërtën nuk bën mirë. Po ky është minimum i minimumit.

Detyrat e qeverisë nuk është thjesht dhe vetëm t’ju thonë mbani maskën, apo akoma më keq t’ju kërcënojnë me gjobë. Është të investojnë në ato segmente të shoqërisë që nuk kanë mundësi ta blejnë maskën, se s’kanë mundësi të blejnë bukën e gojës”

 

Kryetari i Pd Basha sërish akuzoi qeverinë se nuk po i orienton fondet tek sektori i shëndetësisë apo për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, por paratë e buxhetit të shtetit shkojnë për inceneratorët

 

“400 milion euro të shqiptarëve për mafien e plehrave. Nuk është kurrë vonë për t’u penduar dhe për të refuzuar këtë mëkat, këtë haram. Paratë e shqiptarëve, në kohë pandemie, në xhepat e Edi Ramës dhe mafies së plehrave, Arben Ahmetajt, Erion Veliajt me shokë.”

 

Çdo ditë Partia Demokratike ka denoncuar çështjen e inceneratorëve dhe sot Lulzim Basha ka artikuluar një apel të fortë për prokurorinë e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

 

“U çuan atje si ndër më të aftët e prokurorëve. Ju është dhënë mbrojtje special kundër mafies, marrin rroga të majme. Sot duhet të japin përgjegjësi para shqiptarëve ose të japin dorëheqjen të gjithë e t’i tregojnë shqiptarëve që SPAK nuk ka, SPAK s’ka aspak.”

 

Sipas Bashës qeveria ka përgjegjësi të ndihmojë qytetarët e nuk mund të mjaftohet vetëm me urdhrin për të vendosur maskat.