Kanali 7...

Bashkia Kavajë, e falimentuar

Gjendja financiare e bashkive në vend është përkeqësuar më tej pas pandemisë COVID-19. Nga 61 bashki në të gjithë vendin, 27 prej tyre kanë probleme finaciare. Ndërsa një prej tyre është në zonën e kuqe. Kreu i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, i ftuar në emisonin “E-ZONE”, thotë se Bashkia Kavajë edhe para pandemisë ishte një njësi vendore e cila nuk kishte tregues pozitivë sa i përket të ardhurave dhe shpenzimeve.

“Mund t’ju them se më pak se gjysma e bashkive në të gjithë vendin, rreth 27 prej tyre nuk kanë aspak tregues pozitiv finaciar. Një prej tyre që evidentohet edhe në raporte është ajo e Kavajës, e cila është tashmë në zonën e kuqe. Ky përkeqësim lidhet me faktin se pushteti lokal nuk ka mundur të mbledhë taksat dhe tarifat vendore.”

Sipas ligjit, në rast se një bashki ka tregues negativë financiar për më shumë se një vit, Ministria e Financave duhet të emërojë një administrator me qëllim përmirësimin e situatës.

Por deri më tani ministria ende nuk ka marrë një vendim të tillë  Situata është pak e komplikuar thotë Haxhimali, pasi emërimi i një administratori cënon vullnetin e qytetarëve që kanë votuar për të patur në drejtimin e bashkisë të zgjedhurin e tyre.

Borxhet që bashkitë kanë akumuluar deri në fund të qershorit 2020 arritën në 8.7 miliardë lekë, me një rritje prej 500 mililionë lekë vetëm gjatë këtij viti.