Kanali 7...

Biden firmos për klimën: T’u shtojmë taksat korporatave për t’i investuar tek mjedisi

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi ligjin për klimën dhe inflacionin.

 

Paketa prej 740 miliardë dollarësh konsiderohet më e madhja e masave klimatike në historinë amerikane dhe synon të reduktojë emetimet e gazrave të dëmshëm në atmosferë, të rrisë taksat mbi korporatat e mëdha, por edhe të ulë çmimet e barnave me recetë dhe e të luftojë rritjen e inflacionit.

 

Pasi kaloi në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, ligji u nënshkrua nga Biden në Shtëpinë e Bardhë: ai tha se kjo është një fitore për amerikanët.

 

JOE BIDEN

PRESIDENTI I SHBA

 

Më lejoni që ta them nga fillimi, me këtë ligj populli amerikan fitoi dhe interesat e veçanta humbën. Në këtë moment historik, demokratët u rreshtuan në anën e popullit amerikan dhe çdo republikan u mbajt në anën e interesave të veçanta. Çdo republikan i vetëm në Kongres votoi kundër këtij projektligji.

 

Ligji i ri parasheh që të mbledhë rreth 700 miliardë dollarë nëpërmjet rritjes së taksave të korporatave deri në 15% dhe kursimet nga barnat me recetë. Nga kjo shumë do të shpenzojë rreth 400 miliardë dollarë për energjinë e pastër dhe kujdesin shëndetësor.

 

Nga investimi në energji të pastër SHBA synojnë të ulin emetimet deri në 44% deri në 2030, gjithashtu personat mbi 65 vjeç do të harxhonin vetëm 200 dollarë për ilaçe, pasi pjesa tjetër do të kompensohet nga shteti.

 

Por republikanët e kanë kritikuar ligjin duke thënë se rritja e taksave për korporatat do të ulë vendet e punës si dhe nuk do të sjell asnjë impakt në uljen e inflacionit.