Kanali 7...

Bllokimi i punës në Rinas/ Balluku: Ky është grusht shteti!

Një situatë e paprecedentë është krijuar në aeroportin e vetëm “Nënë Tereza”, në të cilin janë pezulluar të gjitha fluturimet. Shkak është bërë ulja e pagave të 60 kontrollorëve të trafikut ajror. Me vendim të Këshillit Mbikqyrës kompania Albkontrol ka rishikuar pagat, pasi fluksi i fluturimeve për vitin që lamë pas ra me 57%.

Për rrjedhojë, mungojnë edhe të ardhuat që paguajnë komponitë ajrore, para të cilat mbulojnë pagat e kontrollorëve. Ministrja e Transportit, Belinda Balluku tha se aeroporti është marrë peng dhe se çështja po përdorët poltikishit.

“Unë e kuptoj Sali Berishën, sepse e gjitha kjo është një organizim i mirëfilltë politik, në një moment fushate. Për shkak të fushatës elektorale dhe për shkak të të gjitha skemave politike, që po aplikohen, sot në aeroportin e Rinasit nuk do të vijnë dot vaksina, që do të vinin sot pasdite. Sot në Aeroportin e Rinasit, për shkak të kësaj fushate, brenda fushatës elektorale për të nxirë faqen e Shqipërisë, për të prishur imazhin, po ndodh dhe diçka tjetër, po afektohet e gjithë shoqëria. Sot në aeroportin e Rinasit nuk do të vijnë dot vaksinat që duhet të vinin për të vazhduar vaksinimin e shqiptarëve. Unë do t’i kërkoja Presidentit të Republikës i cili i ka takuar më parë i ka takuar dhe i ka informacion kontrollorëve të trafikut ajror. Do të doja të dija nga zoti Meta a mendon se do të duhet të bllokohet ardhja e vaksinave?”

Punonjësit në kullën e trafikut ajrorë janë individë të mirëpaguar për shkak edhe të rrezikut të punës që kryejnë duke monitoruar lëvizjen e avionëve si dhe ulje-ngritje e tyre. Ndaj ata janë përfshirë në një grevë pa afat deri në rikthimin e pagave në nivelin e mëparshëm.

“Pavarësisht se kanë zgjedhur këtë mënyrë për të operuar, kjo është një grevë e pastër në thyerje të Kodit të Punës, sepse janë arsyetuar të gjithë në të njëjtin moment, duke deklaruar paaftësi. Ky është grusht shteti, nga disa persona që janë të pakënaqur me pagën 2 mijë e 490 dollarë. Dhe nëse nuk ja bëjnë 4 mijë e 400 dollarë mbajnë vendin peng.”

Ministrja tha se për shkak të krizës së pandemisë tenderat e kryer në Albkontrol kanë qenë më karakter mirëmbajtës dhe jo investime të reja. Ajo tha se ka një plan konkret për zhbllokimin e situatës, por nuk dha detaje se kur do të rinisin fluturimet në Rinas.