Kanali 7...

Braçe: Qeveria ka një strategji që borxhi publik të shkojë në një trajektore ulëse

Zv.kryeministri Erion Braçe deklaroi se dy paketat financiare që janë prezantuar nga qeveria i kanë përfituar të plota të gjithë personat dhe se është një çështje e ezauruar.

Sa i përket garancive sovrane, Braçe deklaroi në “Quo Vadis” se janë në zhvillim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar. Ai sqaroi se cilido sipërmarrës që dëshiron të gjejë apo marrë para për të tejkaluar vështirësitë në aktivitetin e tij, i ka garancitë sovrane në bankat respektive për t’i përfituar.

“Ajo që mendoj unë, vlen tani sepse u bë kohë e gjatë nga ato dy paketat që ju po i referoheni, ajo që vlen tani është rikthimi në punë dhe lehtësimi i gjithë aktivitetit sipërmarrës pas vështirësive të Covid-it, janë të duhurat. Mendoj se lehtësimi fiskal është i tillë që nuk ka ndodhur asnjëherë dhe natyrisht ka udhëhequr një politikë edhe më të gjerë të qeverisë të shtrirë në 10 vitet që vijnë, vecanërisht përsa i përket tatim-fitimit dhe Tatimit për Vlerën e Shtuar te biznesi i vogël i cili ka edhe peshën më te madhe edhe në punësim edhe në të punësuar, ndërkohë që paketat e tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me rikthimin në punë të punonjësve, me mbështetje të drejtëpërdrejtë buxhetore, janë aty, duhet të përdoren nga punëdhënësi, duhet të përdoren edhe nga punëmarrësi, duhet të kërkohen prej tyre, sepse ato para janë në buxhetin e shtetit dhe ne i kemi atje për t’i përdorur pikërisht për rikthimin në punë të cdo punëtori duke marrë ne përsipër për tre muaj dhe për gjashtë muaj, sigurimet shoqërore të të gjithë këtyre nënpunësve.”

Për Braçen, borxhi publik ndodhet në një trajektore që është më e lartë se një vit më parë, por mohon të jetë më i larti në këto 15 vitet e fundit. Ai shtoi se për të përballuar krizën e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandeminë, qeveria kishte vetëm dy rrugë: rritjen e taksës ose  përballimin me borxh, duke zgjedhur këtë të fundit.

“Borxhet që ne gjetëm në 2013 ishin të pakontabilizuara, veprimi i parë që bëmë ishte që të gjitha detyrimet e prapambetura i futëm në llogarinë e shtetit shqiptar, sepse nuk ishin në llogarinë e shtetit shqiptar, ishin në llogarinë e një institucioni me kompaninë private apo midis kompanisë private që nuk shlyhej për punët e kryera nga shteti ende dhe bankës matanë ku ishin të detyruar të merrnin borxhe, për të kryer punë sipas një vendimi që për të marrë një punë të re duhet të kryeje 80% të asaj pune që e kishe në kontratë. Po të bëjmë krahasime, pa më të voglin diskutim, borxhi publik në Shqipëri padyshim është rritur sic është rritur në Itali, Gjermani, Francë, sepse sugjerimi kyc edhe i FMN-së edhe i BB-së ka qenë standard që për të mbuluar shpenzimet e domosdoshme për të përballuar Covid-in, ne kishim edhe një shpenzim më shumë, sepse që nga nëntori i vitit të mëparshëm duhet të përballonim edhe shpenzimet e tjera që lidheshin me tërmetin, me zonën më të populluar të vendit dhe me zonën më industriale të vendit, Tiranë, Durrës, Krujë, Lezhë, Lac.”

 

Braçe ka treguar mes të tjerash se çfarë strategjie do të përdoret për të ulur borxhin publik.

“E para duke hequr të gjitha shpenzimet jo-produktive që ka buxheti i shtetit, duke kufizuar edhe shpenzimet padiskutim administrative të qeverisë dhe në krahun tjetër duke zhvilluar ekonominë.”