Kanali 7...

Britania e zhgënjyer me miratimin e Kodit Zgjedhor: Nuk u arrit konsensusi

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman deklaroi se qeveria britanike u zhgënjye nga votimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Nga Korça, ai tha për mediat se zhgënjimi erdhi sepse miratimi nuk u bë me konsensus nga të gjitha palët.

 

“Marrëveshja e 5 qershorit nuk ka ndryshuar. Ato ç’kanë ndryshuar janë ato çfarë u pasuan me ndryshimet kushtetuese pas miratimit të 5 qershorit. Unë po them atë që kam thënë më parë që qeveria britanike është e zhgënjyer që ka pasur një vazhdimësi për ndryshimet kushtetuese përtej asaj çfarë ishte dakordësuar në 5 qershor. Kjo gjë nuk ka ndryshuar përsa i përket ambasadës sonë. Pjesa për të cilën un jam zhgënjyer është fakti që Shqipëria ka një kohë të gjatë bërjesh reformash në mënyrë konsensuale dhe këtë herë kjo gjë nuk ndodhi. Ky është burimi i shqetësimit tim.”

 

Duncan Norman e ndali theksin edhe tek ngritja e Gjykatës Kushtetuese, për të cilën kërkoi që të ndodhë sa më parë. Lidhur me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ai shtoi se diçka e tillë mund të ndodhë nëse politikanët kanë vullet dhe punojnë në këtë drejtim.