Kanali 7...

Buxheti 2021/ Angjeli: Rritëm buxhetin për shëndetësinë, vitin tjetër mund të kërkojmë eurobond të ri

Ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli deklaroi se në buxhetin e 2021 një vëmendje e madhe shkon për shëndetësinë. Gjatë një interviste për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetarin Aleksandër Furxhi, Angjeli tha se me anë të këtij financimi shëndetësia do të jetë më e kompletuar dhe do të rriten pagat e mjekëve.

 

“Buxheti për shëndetësinë është prioritet në buxhetin e 2021, sepse paketa rritet me 23.3%. Kompleton shërbimin ndaj qytetarëve, duke përfshirë jo vetëm infrastrukturën dhe medikamentet në spitale, por edhe rritjen e pagave të mjekëve, 1.2 miliardë lekë u shtuan për të realizuar rimbursimin e ilaçeve të COVID. Programi vijon edhe me investime në ekonomi sepse nuk mund të ketë rigjallërim të ekonomisë.”

 

Deputeti socialist shpjegoi se nga rialokimi i fondeve janë cenuar disa aspekte të tjera. Anastas Angjeli tha se Shqipëria gjatë pandemisë ka vepruar njësoj si vendet evropiane për marrjen e borxheve. Madje, ai shtoi se mund të lindë nevoja që në vitin e ardshhëm të kërkohet një Eurobond i ri.

 

“Instrumenti i vetëm që ka përdorur vendet e zhvilluara është ai i ndihmave dhe i borxheve. BE ndryshoi rregullat e librit fiskal dhe lejoi që të ketë hapësirë fiskale. Edhe qeveria shqiptare do të përdorë të njëjtin instrument si vendet e BE. Ndihmat që na japin ato vende janë të konsiderueshme. Këto zënë peshë të konsiderueshme dhe vitin e ardhshëm të konsiderohen risqet që mund të ndodhin që të sigurohet likuiditeti i nevojshëm për financimin e ekonomisë. Mund t’u drejtohemi tregjeve ndërkombëtare për një Eurobond të ri.”

 

Në qershor të këtij viti Shqipëria arriti të sigurojë 650 milionë euro kredi nëpërmjet emetimit të një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare.