Kanali 7...

Dita e Veteranëve/ Balla: Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar

Sekretari i Përgjitshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përkujtuar 20 korrikun, Ditën e Veteranëve.

Përmes një postimi në “Facebook”, numri dy i socialistëve e quajti 20 korrikun si ditën e nderimit dhe respektimit të veteranëve të luftës dhe pasardhësve të tyre.

Sipas Ballës, një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar dhe liridashës.

“Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar dhe liridashës. Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizanët shqiptarë, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, veteranët shqiptarë shumë të respektuar dhe pasardhësit e tyre. Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, atyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë. Nderimi i këtyre sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i dëshmorëve dhe heronjve të kësaj Lufte, nderimi i çdo beteje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, më 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.”