Kanali 7...

“Do hamë me lugë floriri”/ Deputeti ironizon ministren e Bujqësisë: Sa t’i trajnoni si rritet lopa…

Teksa fliste mbi mungesën e ndihmës shtetërore për fermerët, deputeti demokrat, Saimir Korreshi, u shpreh nga foltorja e Kuvendit se paketa e re fiskale do të bëjë që shumë fermerë të mos mbjellin vitin e ardhshëm, duke bërë që tregu të mbushet me produktet e vendeve fqinj.

“Sot u premtua që do hamë me lugë floriri gjithandej, po nuk mendoj se është kështu, u tha që ne kemi mbjellë dhe kemi shtuar sipërfaqet. Opingat! Të gjithë fermerët ishin atje jashtë sot dhe unë për fat të mirë i njoh të gjithë ata fermerë. Ka nga ata të cilët realisht janë personat që mbjellin, që mbajnë peshën e asaj që na serviret ne në tavolinë. Ju e keni zakon, gjithmonë këtu s’ka pasur se ne bar do hamë, po kam frikë se s’do na mbijë as bari se fermerët nuk do merren as me këtë se po i lënë serat. Sot serat janë bosh, fermerët janë në protestë. Ju jo vetëm socialista dhe specialista, sot treguat dhe mjeshtëri të lartë sportive. I morët, i amortizuat, i dhatë kafe i thatë se do hani me lugë floriri, po dale sa të kalojmë buxhetin se ashtu është një muhabet. Jo nuk mundet të kalojë ky buxhet, nuk mundet kjo lloj sjelljeje me fermerët lushnjarë. Ta dini se vitin tjetër do hani produkte të “Ballkanit të Hapur”  ose të “shqyer”, ç’a është ai. Siç po hani djathin dhe gjalpin nga produktet serbe, se blegtoria e ka mendjen te akademia, sa t’i stërvisim pak, se nuk dinë se si rritet lopa as dhia, po t’i stërvisim pak, ndërkohë që e marrim qumështin nga Serbia, edhe pak qumësht pluhur.”

Në përgjigje të akuzave të deputetit të PD, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, deklaroi se qeveria ka parashikuar një fond prej 7.1 miliardë lekësh për bujqësinë.