Kanali 7...

E-ZONË/ Abuzimet me tenderat, korrupsion apo kapje e shtetit?

Pas abuzimeve me pronat, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton miliona euro dëme nga abuzimet me tenderat publikë.

 

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, në një intervistë për “E-Zonë” në “Vizion Plus”, ndërsa e quajti këtë fenomen një “gropë të zezë” në financat e shtetit shqiptar, tregoi efektet negative që sjell në ekonominë e vendit.

 

“Ne kemi të drejtë të ngremë shqetësimin që keqpërdorimet e fondeve publike janë gropa të zeza në financat e shtetit shqiptar, të cilat do të rëndojnë gjatë. Ata kanë efekte negative në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke qenë në shkelje të ligjit, dëmtojnë konkurrencën, largojnë nga pjesëmarrja e kompanive të cilat mund të rrisin shumëllojshmërinë e përzgjedhjeve, cilësinë e shërbimit, por mund të ofrojnë edhe kosto më të ulëta.”

 

Malaj beson se struktura e SPAK-ut shton shpresat për rritjen e ndëshkueshmërisë me abuzimet.

 

“Ajo që ka në thelb e gjithë reforma e sistemit gjyqësor, për mua, ka të bëjë me thelbin e zhvillimit. Rezultatet do të jenë graduale. Ka debate për eficencën. Nëse strukturat e reja lejohen të veprojnë me ligj dhe profesionalizëm, ato janë shpresa e vetme për të filluar pikën e kthimit në luftën efektive kundër kapjes së shtetit.”

 

I pyetur për përfshirjen e politikës në tenderat publikë, ish-ministri pohoi: “Është risk i përhershëm. Me shqetëson që gjërat kanë ardhur duke u përkeqësuar. Niveli politik nuk duhet të përfshihet në asnjë rast. Kjo ndarje duhet të jetë e qartë.”

 

Malaj dha një mesazh edhe për punojnësit e administratës publike:

 

“Nëse nuk janë dakord me urdhrin e dhënë nga një epror, duhet të bëjnë raportim me shkrim te Sekretari i Përgjithshëm. Nëse marrin një urdhër, që ata duhet ta bëjën veprimin, pavarësisht se vlerësojnë që është në kundërshtim me ligjin, ata duhet të njoftojnë me një letër ministrin e Financave dhe KLSH-në. Kjo krijon analizën e riskut. Nëse punonjësit nuk e respektojnë këtë të drejtë ligjore, ata me pavetëdije bëhen pjesë e një aktiviteti kriminal.”