Kanali 7...

Facebook fshin llogaritë anti vaksine /Raporti: llogaritë e grupeve kundër vaksinimit u rritën me 50%

Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, kompania teknologjike, Facebook, ka nisur  të fshirjë llogari, të cilat shpërndajnë informacione të rreme në lidhje me pandeminë Covid-19. Lëvizja e fundit e gjigantit teknologjik, ishte fshirja e faqes së krye kuzhinierit të famshëm australian, Pete Evans, i cili është konsideruar edhe si një teoricien konspirativ.

Llogaria e Evans është fshirë nën argumentin se përhapte dezinformacione rreth koronavirusit dhe vaksinave. Në statuset e tij të postuara në median sociale Facebook, Evans u ka kërkuar njerëzve të mos vaksinohen dhe të mos testohen për virusin.

Gjiganti teknologjik ka reaguar në lidhje me veprimin e ndërmarrë.

KOMPANIA FACEBOOK

Ne nuk lejojmë askënd të ndajë dezinformata në lidhje me Covid-19 që mund të çojë në dëmtime të afërta fizike ose rreth vaksinave Covid-19 që janë sugjeruar nga ekspertët e shëndetit publik. Ne kemi politika të qarta kundër këtij lloji të përmbajtjes dhe ne kemi hequr faqen e shefit Pete Evans në Facebook për shkelje të përsëritura të këtyre politikave.

Ndërkohë shefi i kuzhinës reagoi nëpëmjet Instagram, një tjetër rrjet social i zotëruar nga Facebook.

PETE EVANS

SHEF KUZHINE, AUSTRALI

Jam shumë i lumtur që jam një nga katalizatorët për një bisedë rreth një teme kaq të rëndësishme, siç është liria e fjalës.

Facebook, i cili ka qenë nën presion për të frenuar dezinformimin në platformën e tij, tha në fillim të këtij muaji se do të fillojë të heqë pretendimet e rreme në lidhje me vaksinat e koronavirusit nga Facebook dhe Instagram.

Referuar një Raporti, të Qendrës për Luftimin e Urrejtjes Dixhitale me bazë në Britani, në muajt e fundit Facebook fshiu llogaritë e dy grupe kryesore që kundërshtonin vaksinimin me mbi 100,000 anëtarë. Po kështu u bllokua grupi  “Stop Vaksinimit të Detyrueshëm”, si dhe faqet që u përkasin disa prej figurave kryesore të lëvizjes.

Të dhënat e raportit tregojnë se vetëm në Facebook, llogaritë kundër vaksinave u rritën me gati 50 përqind gjatë vitit 2020. Nga 15.5 milion ndjekës që kishin në fillim të vitit, arritën në 23.1 milion në muajin Dhjetor.