Kanali 7...

Fëmijët shqiptarë kthehen nga Siria në atdhe/ Rama: Shumë shpejt do të sjellim edhe të tjerët

Katër fëmijë shqiptarë dhe një grua u kthyen në atdhe këtë të martë nga kampi Al Howl në Siri.

 

Kryeministri Edi Rama premtoi se shumë shpejt do të kthehen edhe fëmijët e tjerë që kanë ngecur në kamp. Rama vlerësoi para gazetarëve se operacioni ishte kompleks.

 

“Mbyllëm fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, por të suksesshëm. Tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët se vonë do të kthejmë edhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri. Punojmë prej një viti në ato territore, nuk kemi patur probleme për gjetjen e lokacioneve. Bëhet fjalë për operacione komplekse, ku futesh në territore ku duhet të marrësh parasysh më shumë se një faktor. Bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti në moment për njerëzit dhe kjo ka kërkuar përgatitje të posaçme. Nxjerrja e këtyre fëmijëve nga një ferr nuk është si ai i nxjerrjes së fëmijëve nga kopshti. Janë në mes forcat kujdestare të kampit, prindërit që janë radikalizuar. E gjitha është komplekse, por puna e bërë brenda në kamp ka qenë intensive.”

 

I pyetur nga gazetarja e “Vizion Plus”, Enkelejda Mema, Rama deklaroi se për riintegrimin e fëmijëve në shoqëri janë përgatitur strukturat e posaçme me psikologë, mësues e mjekë për t’i ndihmuar.