Kanali 7...

Fuqizohet Elbasani në basketboll/ Vijnë një amerikan dhe një kanadez

Ekipi i basketbollit të meshkujve të Elbasanit është përforcuar me dy lojtarë të rinj gjatë merkatos së janarit, pasi me verdhebelutë kanë firmosur deri në fund të sezonit një amerikan dhe një kanadez.

 

Me një CV të konsiderueshme, sportistët janë prezantuar në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” nga drejtori i Sporteve në bashkinë e Elbasanit, Artin Kovaçi.

 

Vetë basketbollistët shprehen të kënaqur që ndodhen në Elbasan dhe do të bëjnë të pamundurën që skuadra të arrijë objektivat.

 

Moses Sullivan:

 

“Jam shumë i kënaqur që ndodhem në Elbasan dhe të jap kontributin tim për skuadrën e këtij qyteti. Nuk e njoh shumë vendin tuaj, pasi kam vetëm një ditë këtu, por jam i lumtur që do të kem mundësinë të luaj në Shqipëri. Elbasani ka objektiva të rëndësishëm dhe do të jap maksimumin tim që në fund të sezonit skuadra të ketë arritur synimet”.

 

Mark Lue-Hue:

 

“Është një kënaqësi të jem këtu në Shqipëri dhe në Elbasan për të luajtur me këtë skuadër. Kam luajtur edhe në vende të tjera dhe këtë eksperiencë këtu e shoh si shumë të vlefshme. Personalisht do të jap maksiumumin tim që skuadra të arrijë më të mirën përgjatë këtij sezoni dhe në njëfarë mënyre të shpërblej edhe besimin e ekipit”.

 

Nga ana tjetër, Artin Kovaçi pohon se përforcimi i skuadrës do të vijojë edhe më tej, teksa performanca e ekipeve të qytetit do të shkojë në të njëjtën linjë me investimet që ka bërë bashkia në infrastrukturë.

 

Aktualisht ekipi i basketbollit të Elbasanit merr pjesë në Kategorinë e Parë dhe ka si objektiv ngjitjen në Superiore.

Afrimet e fundit pritet të rrisin konkurencën në ekip dhe të synojnë maksimumin në çdo ndeshje.