Kanali 7...

Gent Ibrahimi: Lajmet nga sistemi i drejtësisë, si një buletin lufte

Lajmet për personat të larguar nga sistemi i drejtësisë si pasojë e procesit të vettingut ngjasojnë me një buletin lufte. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, gjatë ceremonisë për betimin e magjistratëve të rinj, ka theksuar problematikën me numrin e magjistratëve në sistemin e drejtësisë.

 

GENT IBRAHIMI

KREU I KLP

“Ju hyni në sistem, në familjen e madhe të Prokurorëve të Republikës, në një kohë të vështirë. Për fat të keq, lajmet nga sistemi i drejtësisë vazhdojnë t’i ngjajnë një buletini lufte, me shifra për numrin e të rënëve në veting, me vështirësi dhe problematika që shkaktohen qoftë nga rënia drastike e numrit të magjistratëve, qoftë nga problemet e trashëguara, rregullatore e infrastrukturore, qoftë edhe nga besimi ende i lëkundur i shoqërisë tek sistemi i drejtësisë.”

 

Kreu i KLP u shpreh se çmimi për të shmangur korrupsionin në radhën e prokurorëve është shumë i lartë .

 

 “Vetëm për të përmendur disa syresh, do të doja të kujtoja se, që në ditën tuaj të parë të punës, ju paguheni sa ose më shumë se Presidenti i Republikës; se pavarësia juaj garantohet nga një kuadër ligjor bashkëkohor. Se performanca juaj si prokurorë në vijimësi, do të jetë kriteri kryesor që do të përcaktojë ecurinë e mëtejshme në karrierë; se vënia e prokurorit para përgjegjësisë bëhet përmes një procedure që është garantuese për të drejtat e magjistratit, e kështu me radhë.”

 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi sot paradite në ambientet e “Polit të Drejtësisë”, ceremoninë e betimit të prokurorëve të rinj, Enkeleda Hoxha, në Gjykatën e Kukësit dhe Gazmend Frëngu, në Gjykatën e Pogradecit.

 

Në ceremoni ishin të pranishëm Kryeprokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Cela, drejtuesit e prokurorive të rrethit Pogradec dhe Kukës si dhe përfaqësues nga misionet ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIUS.