Kanali 7...

Gjykata rrëzon Biden për vaksinimin: Jo injeksion i detyruar për kompanitë me mbi 100 punonjës

Presidenti Joe Biden nuk e kurseu zhgënjimin ndaj vendimit të gjykatës së lartë amerikane e cila rrëzoi vaksinimin e detyruar në sipërmarrjet e mëdha.

 

Në një konferencë për shtyp pak orë pas vendimit, kreu i shtëpisë së bardhë deklaroi se udhëzimet e tij ishin të bazuara plotësisht në shkencë dhe ligj.

 

JOE BIDEN

PRESIDENT I SHBA

 

“Pavarësisht vendimit i cili më duhet të them se është zhgënjyes, iu bëj thirrje bizneseve të vendosin rregullat e tyre lidhur me vaksinimin, ndërkohë që një pjesë e mirë e kompanive e kanë bërë tashmë një gjë të tillë. Duke rritur numrin e amerikanëve të vaksinuar, do të mund të shpëtojmë jetë dhe të forcojmë ekonominë e vendit.”

 

Gjykata vendosi me gjashtë vota të anëtarëve konservatorë pro dhe tre të atyre liberalë kundër, për të bllokuar vendimin për vaksinim, testim dhe mbajtje të detyruar të maskës në bizneset me më shumë se 100 punonjës.

 

Ndërkohë, për të mbajtur në fuqi detyrimin për vaksinimin e punonjësve shëndetësorë, votimi ishte 5-4, pasi kryetari i gjykatës supreme John Roberts dhe gjykatësi Brett Kavanaugh, të dy konservatorë, iu bashkuan krahut liberal.

 

Detyrimi për vaksinim ose test do të vlente për rreth 80 milionë të punësuar në SHBA por trupi më i lartë gjykues argumentoi se një rregullore e tillë e nxjerrë jo nga kongresi, por në rrugë adiministrative i tejkalon kompetencat e autoritetit përgjegjës.