Kanali 7...

Gledis Nano nga Dhërmiu: Dënim maksimal autorit, por veprimi i tij nuk mund të përbaltë punën e mijëra punonjësve të policisë

Një ditë pas tragjedisë së Himarës, në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, ka nisur një operacion policor ku vetëm ditën e sotme janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone).

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në mesazhin e dhënë nga Dhërmiu, tha se Uniformat blu janë përgjegjëse 2 herë për këtë tragjedi, jo vetëm për shkak të neglizhencës, por edhe për faktin se autori ishte një efektiv policie.

 

“Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës.

Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror”.

 

Deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone).

 

Operacioni vijon, pasi një pjesë e përdoruesve të mjeteve lundruese i kanë mbyllur mjetet lundruese në det dhe janë larguar”, tha ai ndër të tjera.