Kanali 7...

Hajdari kërkon mbledhjen e Këshillit Politik: Të ulemi në tryezë për të arritur një kompromis

Deputetja e opozitës së re parlamentare, Rudina Hajdari kërkon mbledhjen e Këshillit Politik të martën, për të arritur një kompromis. Hajadari thekson se konsensusi duhet të arrihet për të fuqizuar qytetarët, duke iu dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve.

Kjo kërkesë vjen pas rikthimit për shqyrtim të projektligjit në Kuvend nga presidenti Ilir Meta për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Presidenti i Republikës e ka rikthyer për shqyrtim Projektligjin për ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe në gjykimin tim kjo është një mundësi e mirë për t’u riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar se si mund të arrijmë një produkt i cili të gëzojë jo vetëm mbështetjen e një pale, sic është rasti aktual, por mbi të gjitha mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në 30 vite, reformat zgjedhore në këtë vend kanë shërbyer vetëm e vetëm për të përfaqësuar interes e pak njerëzve, duke e deformuar vullnetin e qytetarëve, duke e dobësuar fuqinë e tyre, duke deformuar kuptimin e sovranitetit të popullit e duke prodhuar si rrjedhojë kriza politike të cilat e kanë mbajtur vendin peng. Kur u bëra pjesë e Këshillit Politik, mendova se kishim një shans që ta ndalonim këtë traditë të shëmtuar dhe për herë të parë të prodhonim një produkt i cili do t’i shërbentë shumicës së qytetarëve e jo 2 po 3 politikanëve. Prandaj, duke shfrytëzuar mundësinë që kemi përpara, ju ftoj që ditën e martë, në orën 11:00, të riulemi në tryezë dhe të arrijmë një kompromis, ku baza duhet të jetë fuqizimi i qytetarëve duke i dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve.

Sipas Hajdarit, qytetarët shqiptarë do të ndëshkojnë ata që vazhdojnë “avazin e vjetër të manipulimit dhe mashtrimit për hir të pushtetit”.

“Kjo do të ishte një sinjal nga ana juaj, se keni në fokus qytetarët e jo interesat e ngushta personale. Do të tregonte se ju intereson më shumë Shqipëria e jo partia.”