Kanali 7...

Hapet edhe “Rruga e Arbrit”/ Aksi i ri kombëtar shkurton ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe Tiranës

Me daulle dhe valle të traditës popullore u hap përkohësisht rruga e Arbërit.

Në ngritjen simbolike të barrierës ishte kryeministri Edi Rama.

Duke qenë se një nga gjashtë tunelet ai i Murrizit ende nuk është mbyllur kalimi do të bëhet përmes një by-pass, edhe ky i përkohshëm.

BELINDA BALLUKU

MINISTRE E INFRASTRUKTURES DHE ENERGJISE

 

Problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit, ku ne kemi hasur në shtresa argjilore dhe burime ujore nëntokësore të cilat e shkrijnë këtë argjilë. Megjithatë edhe ky problem do të zgjidhet.

 

Kjo hapje e pjesshme do të shkurtojë kohën e udhëtimit, nga katër në 1 orë e 20 minuta.

 

BELINDA BALLUKU

MINISTRE E INFRASTRUKTURES DHE ENERGJISE

 

Duhet të ketë një vëmendje nga policia rrugore gjatë kohës , drejtuesit duhet të tregohen të kujdesshëm për të udhëtuar me shpejtësinë që parashikohet në të gjithë rrugën.

 

 

Përveç uniformave blu, përgjatë saj do të jetë edhe makina inteligjente për të identifikuar rastet e shkeljes së kufirit të shpejtësisë apo parakalimeve të gabuara, veçmas gjatë ditëve me kushte atmosferike të këqija, ç’ka bën që qarkullimi në të bëhet më i vështirë.

Gjurma e re e rrugës së Arbërit shkurton ndjeshëm distancën nga Tirana në Dibër dhe anasjelltas. Deri dje ishte 180 kilometra, sot është 69.

Përgjatë saj janë ndërtuar 6 tunele dhe 4 ura, ku më e larta jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Ballkanin është ajo e Fshatit, 158 metra e lartë dhe mbi 300 metër e gjatë.

Përveç se shihet si një arterie që do të ndikojë veçmas në zhvillimin e agro-turizmit, rruga e Arbërit shërben edhe si një nyje lidhëse ndërkombëtare me veriun e Maqedonisë së Veriut, Dibrën e Madhe, Tetovën e më pas me Shkupin.

E parashikuar për tu hapur në prillin e vitit të ardhshëm, koha e udhëtimit shkurtohet në 47 minuta nga të paktën 4 orë që i duhej një qytetari të udhëtonte nga Tirana në Dibër dhe në të kundërt.