Kanali 7...

Indeksi i Dhomës Amerikane: Sërish rënie e besimit të biznesit në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi indeksin e besimit të biznesit, ku për të dytin vit me radhë ky tregues ka pësuar rënie, konkretisht me 0.5 %.

Më shumë se 71% e anëtarëve të Dhomës Amerikane e vlerësojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme, vetëm 9 për qind e vlerësojnë si pozitive dhe 20 për qind si neutrale.

Shkak për këtë situatë, bizneset anëtare të dhomës amerikane evidentojnë efektet e pandemisë, por edhe progresin e pamjftueshëm në reformat kryesore.

Ky është viti i dytë radhazi që Indeksi i Besimit njeh rënie. Në vitin 2019 rënia e besimit ishte 5%.

Sipas raportit,  klima e përgjithshme e të bërit biznes në Shqipëri mbetet e pafavorshme dhe faktorët kryesorë janë: monopolet dhe konkurrenca e padnesrshme, niveli i taksave, i cili nuk është konkurrues në rajon, informaliteti i larte, korrupsioni dhe klima politike.

Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkojnë politika të qëndrueshme fiskale, luftë ndaj informalitetit dhe depolitizim të administratës.

“Qeveria duhet të rishikojë taksat që zbatohen ndaj bizneseve dhe individëve. Administrata duhet të zhvillojë takime me bizneset për të dëgjuar nevojat e tyre dhe të thjeshtojë procedurat e taksave. Qeveria duhet të heqë dorë nga shumë burokraci dhe të krijojë një klimë më të favorshme për investitorët e huaj, në mënyrë që të tërheqë më shumë prej tyre. Ka nevojë të madhe për luftë ndaj korrupsionit të shtrirë në çdo fushë të jetës në Shqipëri, për pakësimin e polarizimit dhe luftës politike, për qasje miqësore ndaj biznesit, për digjitalizim, taksa më të ulëta, për përparim të vërtetë kundër korrupsionit në procedurat e tenderave nga administrata dhe për trajtim të ndershëm të kompanive nga autoritetet e taksave”, u shprehën biznesmenët e anketuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Gjithsesi në indeksin e publikuar, bizneset e dhomës amerikane thonë se Shqipëria ka potencial për të kryer investime, por është e domosdoshme kryerja e reformave që ndikojnë në përmirësimn e klimës së biznesit.