Kanali 7...

Intervista e plotë për Quo Vadis/ Braçe vulos maskat, “shpërfill” Metën dhe quan futbollin shqiptar të korruptuar

Pranvera Borakaj: Nga data 15 tetor qeveria shqiptare ka vendosur mbajtjen e maskave me detyrim në çdo lloj ambienti kur kurba e rasteve të reja është e qëndrueshme, pse erdhi një vendim i tillë?

Erjon Braçe: Sepse ne presim që edhe me zgjerimin e aktiviteteve që hapen siç ishin shkollat, edhe me flukset e mëdha të njerëzve që hyjnë, qarkullojnë në të tilla ambiente, edhe për ndërthurjen e aktiviteteve familjare që shkojnë e vijnë, për shkak të prindërve që presin fëmijët, i shoqërojnë, por edhe për shkak të gripit të stinës ne të kemi flukse më të mëdha të individëve që mund të infektohen me një nga të dy viruset që qarkullojnë, qoftë me Covid-19, qoftë edhe me gripin sezonal. E pikërisht për tu mbrojtur, e për të mos lejuar asocimin e gripit sezonal me COVID-in, pa diskutim grupi i ekspertëve të shëndetit publik që asistojnë qeverinë, që merr vendime edhe për qeverinë, vendosi që maska, barriera prej tekstili, të jetë e detyrueshme për çdo ambient, qoftë ky publik – i hapur, apo publik- i mbyllur, por edhe ambiente të tjera të përdorin maskën.

Pranvera Borakaj: Z. Braçe, kjo është hipotetike, pra me rinisjen e vitit shkollor mund të kemi rinisje të aktiviteteve dhe një rritje të numrit të rasteve. Fakti është që kemi një muaj që ka nisur shkolla dhe ne kemi të njëjtat raste.

Erjon Braçe: Sic ju e dini në 7 muaj e pak, pa më të voglin diskutim që shfaqja e Covid-it kërkon kohën e vet. Në këtë hark kohor, ne kemi patur të infektuar qoftë në shkolla, kategoria e mësuesve, qoftë familjarë të asociuar me mësuesit, përsa kohë që jetojnë në një banesë. Unë mendoj se nuk është më koha për eksperimente, neve na duhet të jemi të vendosur në marrjen e masave edhe paraprake, edhe profilektike që të mos kemi transformim të kurbës në ngjitje, përsa kohë që kapacitetet tona spitalore janë të limituara edhe pas zgjerimit të tyre.

Pranvera Borakaj: A nuk ishim ne më të rrezikuar gjatë sezonit veror kur kishim turistë të shumtë nga Kosova, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, etj.?  Ministri Klosi ka deklaruar 65-70% kemi punuar me volumin e 2019?

Erjon Braçe: Po pra, por në atë periudhë nuk i kishim virozat e tjera të stinës të cilat i asociohen COVID-it pikërisht tani.

Pranvera Borakaj: Ekspertë në vende të ndryshme të botës deklarojnë se maska jo vetëm që nuk ka efekt pozitiv, po përkundrazi efektet janë negative, janë rritur infeksionet bakteriale dhe janë rritur infeksionet e lëkurës në mënyrë masive dhe një maskë e cila mbahet në makinë, mbahet në çantë dhe e vendos sërish, efekti i saj mbrojtës është gati 0.

Erjon Braçe: Këta ekspertë që citoni ju, kanë përballë ekspertë të tjerë që sugjerojnë pikërisht mbajtjen e maskës, ndërkohë që çdo gjë tjetër që referuat lidhet me mënyrën e përdorimit të maskës. Nqs ne do të jemi të kujdesshëm, nuk do kemi as infeksione të lëkurës, as prishje të make-up, as prishje mjekre si puna ime. Nqs kujdesemi edhe këto infeksione të tjera nuk mund të vihen në peshore dhe as nuk mund të krahasohen me rrezikun e humbjes së jetës që vjen prej përhapjes së COVID-it.

Pranvera Borakaj: Ne nuk kemi statistika të qarta sesa jetë njerëzish humbim nga COVID, përsa kohë nuk bëhet autopsia dhe nuk e dimë sot sesa njerëz vdesin me COVID apo vdesin nga COVID.

Erjon Braçe: Më vjen keq që të diskutojmë këtë gjë. Përsa kohë që secili prej nesh ka patur një njeri në shtëpinë e tij, unë kisha dy prindërit, arrin ta kuptojë se çfarë rreziku përbën kjo sëmundje, veçanërisht për mosha të tilla, siç janë edhe të moshuarit, pa pikë diskutimi që nuk ia vlen ky debat.

Pranvera Borakaj: Edhe unë kam patur dikë, me temperaturë 37.5, këputje trupi dhe asgjë tjetër.

Erjon Braçe: Varet, ata që vdesin nuk janë me temperaturë 37.5, as me këputje trupi, ata janë me komplikacione të tjera që fillojnë nga mos-kurimi në kohë i sëmundjeve të ndryshme përfshirë dhe të ftohtin, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive deri te niveli i koagulimit të gjakut në trupin e tyre, që pastaj çon në trombe dhe natyrisht merr edhe jetën.

Pranvera Borakaj: Z. Braçe, më tepër i rrezikuar është dikush që mban maskën duke bërë vrap nga liqeni apo një person që pi kafe dhe ha në restorant?

Erjon Braçe: Nuk kam parë njerëz që vrapojnë me maskë te liqeni.

Pranvera Borakaj: Kam parë unë.

Erjon Braçe: Kam parë të moshuar që pa diskutim mbajnë maskë edhe te liqeni, sepse janë kategoria më e rrezikuar dhe natyrisht shumë mirë bëjnë që e mbajnë maskën edhe kur dalin te liqeni, përsa kohë që të liqeni shikon gjithfarë njerëzish, edhe nga ata që nuk mbrohen gjithë ditën e ditës, edhe nga ata që kruajnë fytin dhe pastaj zhvillojnë aktivitete të tjera në natyrë, edhe nga ata që nuk kanë asnjë kujdes për tjetrin. Maska natyrisht që është mbrojtje për veten, por është edhe mbrojtje për të tjerët, unë mendoj që ka ardhur momenti që ka ardhur koha të mendojmë edhe për tjetrin edhe për të ngjashmin, edhe për të ndryshimin, si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë shtëpisë.

Pranvera Borakaj: Ekspertë të ndryshëm, dhe ata që juve ju referuat pak më parë, kanë qenë kontadiktorë në deklaratat e tyre që në shkurt-mars kanë deklaruar që, jo maskat nuk mbrojnë.

Erjon Braçe: Kur e gjithë bota rekomandon maskën…

Pranvera Borakaj: Kur themi gjithë bota, gjithë bota nuk e ka të detyrueshme mbajtjen e maskës. Gjermania, Franca, Zvicra nuk e ka sot me detyrim vendosjen e maskës në zona të caktuara me dendësi të madhe, aty ku ka vatra infeksioni, por jo në të gjitha qytetet. Ne e kemi në të gjitha qytetet, për të gjithë qytetarët, në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Erjon Braçe: Në të gjithë territorin është Italia fqinje, që kaloi një situatë shumë të vështirë.

Pranvera Borakaj: Pse duhet marrë modeli i Italisë, pse të mos marrim model Suedinë, p.sh.?

Erjon Braçe: Ne nuk jemi si Suedia, ne nuk jetojmë në Skandinavi, ne jetojmë në Mesdhe, ne kemi përballë 150-200 km larg Italinë, me të njëjtat karakteristika, në të ushqyer edhe në kushte atmosferike.

Pranvera Borakaj: Gjatë kohës së pandemisë morëm model Italinë dhe jo Greqinë, e cila ishte shumë më e moderuar në raste.

Erjon Braçe: Si është Greqia sot? E di si është puna, ju që jeni kaq të çlirët nga kjo lloj historie, patjetër zgjidhni gjobën dhe mos e vendosni maskën, pjesa tjetër që e ndjen veten seriozisht të rrezikuar, unë i sugjeroj të mbajë maskën dhe i kushton shumë më pak.

Pranvera Borakaj: A mund të falen sërish gjobat, ashtu sikurse ndodhi pak ditë më parë?

Erjon Braçe: Po patjetër, gjobat që ishin vendosur gjatë përiudhës së pandemisë, edhe përkundër mendimit tim që mund të ishte i ndryshëm nga ai që kanë vendosur institucionet, që ka vendosur qeveria, u falën për shkak të kalimit të një periudhe të gjatë dhe ky nuk është rasti i parë që falen gjobat në Shqipëri. Kohë pas kohe, gjobat e vendosura si pasojë e shkeljeve administrative edhe falen.

Pranvera Borakaj: Dy paketat që janë prezantuar nga qeveria në çfarë vlere janë realizuar dhe sa është numri i personave që kanë përfituar?

Erjon Braçe: Paketat i kanë përfituar të plota të gjithë personat, të cilëve iu adresua paketa, qoftë ajo e tri pagave, qoftë ajo e një page. Pra është çështje e ezauruar, ndërkohë që sa i përket garancive sovrane, ato janë në zhvillim e sipër, nuk kanë përfunduar. Cilido sipërmarrës që dëshiron të gjejë apo marrë para për të tejkaluar vështirësitë në aktivitetin e tij, i ka garancitë sovrane në bankat respektive për t’i përfituar. Te e dyta diku te 50% është ezauruar, ndërkohë që pritet që gjithkush tjetër që ka nevojë për të zhvilluar biznesin e vet, t’i adresohet garancive sovrane. Ajo që mendoj unë, vlen tani sepse u bë kohë e gjatë nga ato dy paketat që ju po i referoheni, ajo që vlen tani është rikthimi në punë dhe lehtësimi i gjithë aktivitetit sipërmarrës pas vështirësive të COVID-it, janë të duhurat. Mendoj se lehtësimi fiskal është i tillë që nuk ka ndodhur asnjëherë dhe natyrisht ka udhëhequr një politikë edhe më të gjerë të qeverisë të shtrirë në 10 vitet që vijnë, veçanërisht përsa i përket tatim-fitimit dhe Tatimit për Vlerën e Shtuar te biznesi i vogël, i cili ka edhe peshën më te madhe edhe në punësim edhe në të punësuar, ndërkohë që paketat e tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me rikthimin në punë të punonjësve, me mbështetje të drejtëpërdrejtë buxhetore, janë aty, duhet të përdoren nga punëdhënësi, duhet të përdoren edhe nga punëmarrësi, duhet të kërkohen prej tyre, sepse ato para janë në buxhetin e shtetit dhe ne i kemi atje për t’i përdorur pikërisht për rikthimin në punë të cdo punëtori duke marrë ne përsipër për tre muaj dhe për gjashtë muaj, sigurimet shoqërore të të gjithë këtyre nëpunësve.

Pranvera Borakaj: Kemi llogari, kemi të dhëna se çfarë impakti do të kenë këto paketa te bizneset?

Erjon Braçe: N.q.s. ju i shihni që sot dyqanet janë të hapura, sot baret, restorantet, ndërmarrjet e vogla edhe të shërbimeve, por edhe të prodhimit janë të hapura pa më të voglin diskutim që këto paketa kanë dhënë efektivitetin e tyre. Nuk është pak që të hapësh biznesin tënd në mëngjes dhe të kesh si favor të punosh vetëm për veten tënde dhe të mos paguash asnjë lloj detyrimi për shtetin. Nuk është pak, është shumë. Nuk ka ndodhur kurrkund, nuk e shihni as në Skandinavi këtë gjë, meqë më çuat deri ne Skandinavi.

Pranvera Borakaj: Në Skandinavi nuk ndodh z. Zv. Kryeministër që në 11 të natës merret vendimi që gjatë fundjavës do jeni të mbyllur, nuk merren vendime në momentin e fundit. Gjatë gjithë periudhës së karantinimit, në orën 10-11 të natës merrej vendimi që biznesi nuk do të hapet gjatë fundjavës dhe kjo gjë nuk ndodh në Skandinavi.

Erjon Braçe: Në orën 11 të natës? Ky është abuzim i madh.

Pranvera Borakaj: Ky nuk është abuzim fare i madh, dhe n.q.s. ju dëshironi mund të nxjerr dhe inserte se në sa raste kryeministri ka dalë në mes të natës duke thënë se edhe këtë fundjavë do jeni të mbyllur.

Erjon Braçe: Unë nuk dua asgjë prej jush, po ruaj etikën për të mos thënë atë që mendoj.

Pranvera Borakaj: Mund ta thoni atë që mendoni. Ky është fakt.

Erjon Braçe: Meqë po e kërkoni, kjo është gënjeshtër. Nuk ka ndodhur as në 10, as në 11. Është e vërtetë që qeveria ka qenë në punë edhe në 11 të darkës, edhe në 12, edhe në 1 të mëngjesit, por kurrë nuk janë marrë vendime në orën 10 apo 11 të darkës. Nuk ka komunikuar biles vendime në 10 apo 11 të darkës. Kur ka qenë e domosdoshme, komunikimi është bërë në kohë.

Pranvera Borakaj: 38 mijë biznese të vogla kanë shpallur falimentin gjatë kësaj periudhe. 120 mijë përsona kanë humbur vendin e punës.

Erjon Braçe: Këto janë shifra që i ndani nga mëngjesi deri në darkë me ish-deputetët e opozitës.

Pranvera Borakaj: I referohem Shoqatës së Biznesit të Vogël.

Erjon Braçe: Puna është që Shoqata e Biznesit të Vogël që drejtohet nga njerëz që nuk kanë asnjë lloj biznesi në këtë vend të regjistruar të paktën dhe aktivë, jo tani, por që gjatë vitit që shkoi nuk ka asnjë regjistër të bizneseve të vogla, dhe më vjen keq, unë i referohem në mënyrën më të qartë të mundshme, shifrave të borderove të shtetit, llogarive dhe regjistrave të Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe llogarive e regjistrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me llafe rrugësh, të njerëzve që nuk kanë, as biznes, as regjistër, as njohin se cilat janë bizneset e vogla, unë nuk merrem.

Pranvera Borakaj: Po FMN dhe Banka Botërore a mund t’i referohemi zoti Braçe, për borxhin publik, i cili është në nivelet më të larta të Shqipërisë sot që flasim?

Erjon Braçe: Kush e ka mohuar borxhin publik? Pa më të voglin dyshim që borxhi publik është në një trajektore që është më e lartë se një vit më parë.

Pranvera Borakaj: Më i larti në këto 15 vitet e fundit.

Erjon Braçe: Më e larta? Kujt i referoheni për këtë? FMN-së apo Bankës Botërore?

Pranvera Borakaj: FMN, Banka Botërore është akoma më e rëndë, thotë 81.3%.

Erjon Braçe: Më e larta në këto 15 vitet e fundit nuk është, për një aryse shumë të madhe, sepse 15 vite më përpara borxhet as nuk kontabilizoheshin.

Pranvera Borakaj: Nga viti 2000, 61.11% sipas informacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Erjon Braçe: Borxhet që ne gjetëm në 2013 ishin të pakontabilizuara, veprimi i parë që bëmë ishte që të gjitha detyrimet e prapambetura i futëm në llogarinë e shtetit shqiptar, sepse nuk ishin në llogarinë e shtetit shqiptar, ishin në llogarinë e një institucioni me kompaninë private apo midis kompanisë private që nuk shlyhej për punët e kryera nga shteti ende dhe bankës matanë ku ishin të detyruar të merrnin borxhe, për të kryer punë sipas një vendimi që për të marrë një punë të re duhet të kryeje 80% të asaj pune që e kishe në kontratë. Po të bëjmë krahasime, pa më të voglin diskutim, borxhi publik në Shqipëri padyshim është rritur siç është rritur në Itali, Gjermani, Francë, sepse sugjerimi kyç edhe i FMN-së edhe i BB-së ka qenë standard që për të mbuluar shpenzimet e domosdoshme për të përballuar Covid-in, ne kishim edhe një shpenzim më shumë, sepse që nga nëntori i vitit të mëparshëm duhet të përballonim edhe shpenzimet e tjera që lidheshin me tërmetin, me zonën më të populluar të vendit dhe me zonën më industriale të vendit, Tiranë, Durrës, Krujë, Lezhë, Laç. Për të përballuar këtë situatë, dy rrugë kishte, ose të rriteshin taksat, ose të përballohej me borxh, dhe ne natyrisht i jemi referuar borxhit dhe kemi një strategji shumë të qartë sesi nga fundi i këtij viti, fillimi i vitit të ardhshëm, buxheti i ri që po vjen të shkojë në një trajektore ulëse të borxhit, duke ulur taksat.

Pranvera Borakaj: Si do të realizohet kjo?

Erjon Braçe: E para, duke hequr të gjitha shpenzimet jo-produktive që ka buxheti i shtetit, duke kufizuar edhe shpenzimet padiskutim administrative të qeverisë dhe në krahun tjetër duke zhvilluar ekonominë.

Pranvera Borakaj: Në raportin e FMN, -7% ka një tkurrje të ekonomisë në rajon, kjo sipas FMN vjen sepse ekonomia shqiptare është e varur nga dërgesat e emigrantëve dhe gjithashtu nga turizmi.

Erjon Braçe: Që tkurrja e ekonomisë mund të ndalet te treguesi 7%, natyrisht që është shumë e vërtetë, ka pasur një projeksion shumë më të madh se kaq, nga 10-12%, pikërisht për shkak të asaj që ndodhi gjatë 3 muajve të verës dhe ndezjes së motorrit të ekonomisë në shumë sektorë, përfshirë edhe sektorin prodhues, po përfshirë edhe sektorin e shërbimeve edhe turizmit, natyrisht që shifra mund të jetë edhe 7% pavarësisht se ka edhe projeksione optimiste që e zbresin edhe poshtë 7%, por ne i referohemi të dhënave zyrtare, por që ekonomia jonë ka një degë shumë të rëndësishme të saj, turizmin natyrisht që këtë nuk pres të na e thotë FMN-ja, është evidente, ne jemi përqëndruar jashtë mase te turizmi për shkak të numrit shumë të madh të të punësuarve që adreson ky sektor, por në kahun tjetër edhe për shkak të flusit të jashtëzakonshëm turistik që ka qenë në Shqipëri gjatë vitit që shkoi. 2019 nuk mund t’i referohemi, kurse 2020 ka patur një të mirë shumë të madhe që ca prej njerëzve që vazhdimisht e kanë refuzuar këtë vend për pushimet e tyre, mbetën këtu dhe shpenzuan këtu.

Pranvera Borakaj: 21 mars qeveria shqiptare me anë të një akti normativ, vendosi të akordojë një fond prej 2MLD lekësh në mbështetje të shërbimeve spitalore dhe shërbimeve komunitare, gjatë asaj kohe pamë ndihma të shumta që i dërgoheshin qytetarëve shqiptarë, pensionistëve dhe shtresave në nevojë. Me aktin e dytë normativ, të datës 15 prill është vendosur një ndryshim, nga 2MLD lekë fondi u bë 1MLD, ishte e pamenduar paketa e parë?

Erjon Braçe: U nda në mënyrën më të qartë të mundshme me pushtetin vendor, barra e shpenzimeve për të ndihmuar familjet në nevojë apo familjet që ishin të mbyllura në shtëpitë e tyre për shkak të gjendjes së emergjencës që u vendos dhe kufizimeve në lëvizje dhe që jetonin të vetëm. Ka patur familje të tëra që nuk kishin asnjë fëmijë këtu, por i kishin larg dhe i kanë asistuar në mënyrë shumë të qartë bashkitë dhe u nda barra.

Pranvera Borakaj: Ishte i padiskutuar vendimi me bashkitë përpara akordimit të fondit?

Erjon Braçe: Ishte një fond i menjëhershëm, i dhënë nga qeveria e Rep. së Shqipërisë dhe pastaj pa më të voglin diskutim edhe bashkitë duhet të barrën e tyre për të ndarë peshën e shpenzimeve për të ndihmuar njerëzit. Për të thënë të vërtetën e kanë kryer shumë mirë, sepse është një funksion i delegar nga qeveria qëndrore te pushteti vendor në kuadër të decentralizimit.

Pranvera Borakaj: Në situatën ekonomike që jemi, ndërsa ka një afat ligjor që është data 15 tetor që është Këshilli i Ministrave miraton me vendim projektbuxhetin vjetor, jemi pak vonë për të mësuar strategjinë e qeverisë për 2021 përsa kohë është edhe vit elektoral?

Erjon Braçe: Nuk jemi vonë farë përsa kohë sot është data 12 dhe pas 3 ditësh shkon data 15. Është vit electoral por nuk është edhe vit i zakonshëm, përsa kohë unë mendoj se pandemia nuk do zhduket deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, kështu që na duhet të kalkulojmë jo vetëm flukset e tanishme edhe flukset e janarit, shkurtit apo marsit që mund të kemi nga asocimi i viruseve qoftë gripi i stinës, qoftë COVID-19 dhe të kemi shpenzimet e mjaftueshme për të gjitha institucionet publike që po përballojnë të vetme edhe pandeminë, por duhet të përballojnë të vetme edhe shërbimet e tjera mjekësore të qytetarëve.

Pranvera Borakaj: Kryeministri ka deklaruar se do ketë ndryshime në taksën progresive, çfarë ndryshimesh janë?

Brace: Pa diskutim që përsa kohë që ne kemi zeruar të ardhurat nga sipërmarrja deri në vlerën e 140 mln lekëve si xhiro vjetore, do të duhet një ekuilibër i ri edhe në skemën e të ardhurave nga puna, që janë të ardhurat nga rroga e gjithëseciloit dhe që i nënshtrohen tatimit progresiv që është i qartë, evident tani. Ne nuk mund të kemi një skemë që fitimet të taksohen zero deri n ë nivelin 140 mln lekë xhiro dhe të kemi tatim më shumë se zero për të ardhurayt nga puna, rrogat, kështu që ekspertët po punojnë për ekuilibrimin e kësaj skeme dhe lehtësimin akoma dhe më tutje të kategorive të pagave që janë të ulëta apo të mesme.

Pranvera Borakaj: A bëhet kjo për efekt elektoral?

Erjon Braçe: Për mua është e papranueshme që të ardhurat nga sipërmarrja të taksohen zero, ndërkohë që të ardhurat nga puna të kenë një tatim qoftë edhe 1, 2, 3, 4 apo 5%. Është çështje drejtësie, jo çështje elektorale, fare zero.

Pranvera Borakaj: Detyrimet e prapambetura që gjetët nga qeveria Berisha në 2013, për të cilat u përgëzuat, nga 2017 ka rikrijuar borxhe të prapambetura?

Erjon Braçe: Nuk është kështu. I vë në diskutim të dhënat e tyre.

Pranvera Borakaj: Pse nuk duhen vënë në diskutim të dhënat e qeverisë, por duhet të vëmë në diskutim çdo lloj të dhëne tjeter qoftë edhe të organizmave ndërkombëtarë?

Erjon Braçe: I vë në diskutim sepse i kam vënë në diskutim që në Komision të Ekonomisë që e drejtoja unë, kurse të dhënat e qeverisë janë të dhëna nga Thesari i Shtetit, i cili është publik, është online dhe mund të monitorohet në kohë reale. Të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të dhëna të pa-akorduara me Thesarin dhe ia kam vënë në dukje në sallën e kuvendit, ndërkohë që po ka disa të detyrime të prapambetura për të punë korrente, për mallra dhe shërbime, që janë në proces dhe deri në 31 dhjetor do shlyhen deri në një.

Pranvera Borakaj: Tërmeti, 935 mln Euro është llogaritur dëmi nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërkohë nëse i referohemi të dhënave zyrtare, dalin investime 34 mld lekë në 2020, 25 në 2021 dhe 6 mld në 2022, shkojnë 65 mld lekë, janë të dhëna nga Ministria e Financave.

Erjon Braçe: Ka dëme që janë në mallra të cilat ne nuk i kompensojmë.

Pranvera Borakaj: Ju nxorrët një faturë financiare, një faturë për rindërtim.

Erjon Braçe: Jo, zonjë, jo, nuk është kështu. Ky është fondi i ridërtimit dhe i referohet të gjitha programeve që ne kemi hapur, që janë qoftë riparime, qoftë edhe të shtëpive individuale që ndërtohen nga themeli, shtuar këtu edhe gjithë infrastruktura në zonat e reja që nuk mund të ngrihen pallate pa patur infrastrukturën qoftë nëntokësore, qoftë edhe atë të shërbimeve, energji, ujë, rrugë. Këto janë të dhënat e rindërtimit të shkollave, shtëpive individuale dhe natyrisht edhe infrastrukturave.

Pranvera Borakaj: Sa prej këtyre 34 mld lekë janë shpenzuar deri tani?

Erjon Braçe: Hyr në regjistrin elektronik të prokurimeve publike edhe të shohësh sesi janë prokuruar të gjitha programet e rindërtimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe në krahun tjetër nga Bashkia e Tiranës.

Pranvera Borakaj: Sa janë prokuruar është tjetër gjë dhe sa janë sot në zbatim dhe janë shpenzuar është gjë tjetër.

Erjon Braçe: Cfarë është prokuruar ka në regjistër edhe lidhjen e kontratës dhe në krahun tjetër vec lidhjes së kontratës ka edhe statusin e nisjes së punës apo jo.

Pranvera Borakaj: Unë po ju pyes juve.

Erjon Braçe: Po nuk është puna ime o zonjë. Edhe një herë tjetër se është shumë interesante kjo pyetja juaj. Ka një ministër Shteti që merret me këtë punë, që mund t’i referoheni nga mëngjesi deri në darkë.

Pranvera Borakaj: S’e kemi as një përgjigje nga ministri i Shtetit.

Erjon Braçe: S’ke ti përgjigje nga ministri i Shtetit? Në rrugë e ke gjithë ditën e ditës duke kontrolluar këto punët, ka në faqen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit të përditësuar të gjitha punët që fondi shqiptar i zhvillimit po kryen, qoftë me shkollat, qoftë me zonat e tjera të banimit, apo me ndërtesat individuale të qytetarëve që janë shkatërruar dhe që mund t’i referoheni. Nëse i kërkon të gjitha këto nga Ministria e Financave, shko atje, por ka edhe individë të tjerë ka edhe agjenci të tjera që janë përfshirë në procesin e rindërtimit dhe raportojnë në kohë reale statusin e punëve që po kryhen.

Pranvera Borakaj: Unë ju referova faqeve zyrtare, nuk e dija që duhet ta kërkoja ministrin e Shtetit në rrugë.

Erjon Braçe: Kujt faqeje zyrtare? Faqes zyrtare të ministrit?

Pranvera Borakaj: Faqes zyrtare të institucionit.

Erjon Braçe: Unë e vë në dyshim edhe këtë referencën tuaj.

Pranvera Borakaj: Mund ta tregoj që burimi është Ministria e Financave. Burimi është Ministria e Financave, kjo është një tabelë që është marrë nga Ministria e Financave.

Erjon Braçe: Kjo nuk thotë asnjë gjë moj zonjë, këto janë shpenzimet e planifikuara në vitin 2020, 2021, 2022. Pyetja që më bëtë mua është, sa nga këto janë shpenzuar? I ke te Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe te Bashkia e Tiranës. Mund të shkosh sa keni shpenzuar, për shkolla ose banesa individuale, në krahun tjetër mund të pyesësh ministrin e Shtetit, sa nga këto para u janë dhënë qytetarëve në dorë për riparimet në shtëpi.

Pranvera Borakaj: Shkollat, kishte një objektiv të qeverisë për ta cuar 5% të PBB për arsimin? E kemi në 2.3% nga shoqatat e arsimit dhe 3.3% nga të dhënat zyrtare.

Erjon Braçe: Nuk komentoj asnjë shoqate, i referohem vetëm buxhetit të shtetit, me shoqata merruni ju.

Pranvera Borakaj: I referohemi 3.3%, kur do shkojmë në 5%?

Erjon Braçe: Kur t’i vijë kohë dhe kur vendeve të rajonit t’i shfaqen të gjitha problematikat që na janë shfaqur neve, patjetër.

Pranvera Borakaj: Që do të thotë? Jeni në vitin e shtatë të qeverisë.

Erjon Braçe: Sipas projekteve afat-mesme buxhetore, i keni të shkruara atje, mund t’i kërkoni.

Pranvera Borakaj: Kur, kur do të jetë 5%?

Erjon Braçe: I keni të shkruara në projektbuxhet. Paratë publike nuk janë si shiu, që ka stinën e vetë kur bie, kështu që paratë publike nuk kanë termin “kur”, paratë publike lidhen drejtpërdrejtë me nivelin e tatimeve dhe taksave që paguajnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe rishpërndarjen e tyre në programet buxhetore, ku edhe arsimi është një prej tyre dhe ku as mund të krahasohet me çfarë në gjetëm në arsim qoftë si shpenzim, qoftë si godina, qoftë si kurrikula.

Pranvera Borakaj: Kur ua premtuat qytetarëve nuk e dinit çfarë gjetët në arsim?

Erjon Braçe: Kur ua premtuam qytetarëve nuk kishim parasysh që do na godiste edhe tërmeti, që do na rrënonte shkollat dhe që do na vendoste kufizime qoftë në të ardhurat e tatimeve dhe taksave apo edhe pandemia.

Pranvera Borakaj: Kryesia e Partisë Socialiste nuk pësoi asnjë ndryshim. Diskutimi ishte që do kishte ndryshime jo vetëm në Kryesi, por edhe Sekretariat.

Erjon Braçe: Të kujt shoqate?

Pranvera Borakaj: Nuk e di pse keni probleme me shoqatat? Ju nuk keni opozitë në parlament e përsa kohë nuk ka opozitë, pse ju shqetëson?

Erjon Braçe: Gjatë gjithë kësaj periudhe na është thënë që këta përjashtojnë, këta nuk duan njeri brenda këtyre shoqatave. Përsa kohë PS hyn në zgjedhje, përsa kohë me rregulla statutore e ka të ndarë përgjegjësinë shumë të qartë, që kur partia fiton apo humb zgjedhjet, ristrukturohen të gjitha strukturat drejtuese, ne nuk kemi pse t’i hyjmë një vit më pas në një proces zgjedhor pasi kemi mbyllur këtë proces zgjedhor një vit më përpara. Është krejt normale që e gjithë struktura e partisë të jetë në punë, të verifikohet drejtpërdrejt në popull, dhe natyrisht pas zgjedhjeve bëhën të gjitha riparimet po të doni, vlerësimet po të donit, meritat edhe për rezultatin zgjedhor në një proces elektoral edhe brenda PS.

Pranvera Borakaj: “Beteja” me Ilir Metën, lufta e ashpër, deklaratat e forta të kryeministrit me Ilir Metën, duket sikur e keni betejen e 25 prillit me të?

Erjon Braçe: Për çfarë beteje flisni?

Pranvera Borakaj: Deklarata shumë të ashpra mes kryeministrit dhe presidentit.

Erjon Braçe: Në 25 prill ne presim që qytetarët e Republikës së Shqipërisë të ushtrojë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur me votë ata që do të jenë në parlament dhe qeverinë e ardhshme. Nuk pres as luftë me Ilir Metën, as luftë me Lulëzim Bashën, as me të tjerë njerëz që s’janë as për luftë me thënë të drejtën.

Pranver Borakaj: Keni akuzuar edhe pas ndeshjes me Kazakistanin, FSHF si të korruptuar?

Erjon Braçe: Kam thënë futbollin e korruptuar që ata udhëheqin, dhe e udhëheqin në mënyrë politike, partiake. Kush është në futboll brenda dhe ka si produkt të futbollit këtë futbollin e korruptuar që e keni parë kohë pas kohe, këtë futbollin ku rezultatet paramendohen, paracaktohen ku edhe fituesit paracaktohen, edhe kur kapen “me presh në duar” nuk hetohen, ka një hetim kam përshtypjen për këtë ekipin kampion që është varur prej  muajsh të tërë dhe nuk ka një konkluzion nga Komisionet e FSHF, por mua më shqetëson degradimi në një top politik të topit të futbollit, sepse kjo klimë që është krijuar në futbollin shqiptar është paraqitur edhe ne rezultatet e Kombëtares së Shqipërisë. Ky futboll i korruptuar dhe që udhëheqin këta burra në Shqipëri, padyshim që ka edhe impaktin  e vet edhe në rezultatet e Kombëtares së Shqipërisë  dhe është fatkeqësi sepse në këtë momënt Shqipëria ka një nga brezat më të talentuar që mund të ketë pasur ndonjëherë, natyrisht bën diferencë sepse luan edhe në kampionatet më të forta të botës sot që flasim, kështu që është vërtet për të ardhur keq kjo klimë e tensionuar që ka sjellë stop-imin e të gjitha aktiviteteve sportive në këtë vend dhe që ka një natyrë tërësisht politike, në mënyrën sesi shtrohet, sesi prezantohet të djegë një brez, që është më i talentuari që i ka ardhur Shqipërisë.

Pranvera Borakaj: Edhe kërkesat e Ligës, politike janë?

Erjon Braçe: Për mua një pjesë e kërkesave të Ligës janë politike, të qarta, kërkesat për të mos paguar 10 vjetë tatim mbi rrogën, kur të gjithë ju apo të tjerë paguajnë tatim mbi rrogën, këta të thonë që ne nuk duam të paguajmë tatim mbi rrogën mbi 10 vjet, kur marrin rroga shumë të mira. Ka futbollistë në Superligën Shqiptare që paguhen 11-12 mijë euro në muaj dhe bëjnë 2-3-4 gola gjithë sezoninn. E kupton cfarë derexheje është? Të bësh këtë kërkesë dhe pasi e bën, të thuhet unë nuk flas me ty, patjetër që është politike.