Kanali 7...

“Izoloni Presidentin”/ Meta: Zero shanse që të ndodhë! Le të vijnë në Presidencë

Presidenti Ilir Meta e ka kthyer sërish vëmendjen tek ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në daljen e tij para gazetarëve, kreu i shtetit theksoi se deputetët duhet të reflektojnë që 25 prillin mos ta kthejnë në referendum.

Mes të tjerash, ai tha se forcat antishqiptare po tentojnë që të hedhin në humnerë Shqipërinë, por shtoi se ai nuk do ta lejojë të ndodhë një gjë e tillë.

“Duhet të reflektojmë të gjithë dhe mos e kthejmë 25 prillin në referendum. Ose do e kthej në referendum, më i madhi që nga koha e Skënderbeut. Këtë gjë nuk e ndal dot më askush. Të gjithë të bëhen pjesë dhe askush mos dalë kundër ose do ketë kundër gjithë popullin shqiptar, të majtë e të djathtë. Presidenti do bëjë çdo gjë që të respektohet 5 qershori. Ata do vendosin që ta çojnë në referendum? Patjetër. Me gjithë demokratët, socialistët, ballistët, pa parti, që do i qëndrojmë amanetit të Skënderbeut. Sic ka thënë Fan Noli, do jetë më i gjalli ndër të gjallët. Presidenti ka plane pa fund, për të garantuar që Shqipëria mos bjerë në një humnerë ta shtyjnë forcat antishqiptare.”

Po ashtu, ai iu përgjigj edhe thirrjeve të deputetit socialist Bujar Çela, i cili kërkoi izolimin e Presidentit nga prokuroria e Përgjithshme. Ai theksoi se është i gatshëm të përballet me këdo, duke shtuar se ata kanë “zero shanse”.

“T’u bëjnë thirrje të gjithë prokurorëve dhe të gjitha policive në botë, s’e presidenti këtu është gjithmonë. Dhe të shohim se kush do të izolojë presidentin. Zero shans! Izolimi i Shqipërisë nga Europa është qëllimi. Presidentin këtu e kanë. Le të vijnë që të zënë këtë institucion. Unë i kam thënë të gjithë Shqipërisë dhe botës se qëllimi është zhytja e Shqipërisë, izolimi.”, tha Meta.