Kanali 7...

Kina i kthehet jetës normale/ “Lulëzon” ekonomia, por rritet pabarazia

Kina i është rikthyer jetës normale ndërkohë që pjesa tjetër e botës po përballet me pandeminë e koronavirusit.  Qeveria e Kinës arriti të mbajë nën kontroll virusin dhe ekonomia e vendit lulezoi ndërsa vendet e tjera po zhyten ne krize. Por nga ana tjetër ekspertet kineze japin alarmin për thellimin e hendekut midis të varferve dhe të pasurve.

Ndërkohë që e gjithë bota është duke luftuar virusin Covid-19, lëshuar nga Wuhan në Kinë në fund të vitit 2019, vetë Kina i është rikthyer jetës normale duke festuar në klube nate.

Covid-19 u shfaq për herë të parë në Wuhan në dhjetor dhe në fillim të prillit, kur e gjithë bota u izolua për të parandaluar përhapjen e virusit, bllokimet në Kinë u hoqën ndërsa vendi hapi gradualisht fabrika dhe biznese.

Pasojat e koronavirusit vijojnë të jenë prezente kudo, në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj., duke përfshirë jo vetëm pasoja shëndetësore por edhe ekonomike, arsimore, psikologjike etj. Pas pasojave shëndetësore, ato ekonomike janë ndjerë dukshëm në çdo shtet, duke ulur ekonominë  e vendeve në nivele alarmante.

Por, çuditërisht e njëjta gje nuk ka ndodhur me Kinën. Qeveria e Kinës po e mban pandeminë nën kontroll për muaj me radhë. Duke lejuar sërish festimet në klube nate, hapjen e panaireve tregtare, udhëtimet, koncertet në hapësira publike, pra jeta vazhdon normalisht, njësoj si në periudhën para koronavirusit. Në tremujorin e tretë, ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 4.9% krahasuar me një vit më parë, sipas zyrës së statistikave të Pekinit. Eksportet u rritën me 9.9% në shtator, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ndërsa importet u rritën me 13.2%.

E megjithatë pasojat e pandemisë së Covid-19 po ndihen. Ekspertët e ekonomisë flasin për zgjerimin e hendekut midis të pasurve dhe atyre që nuk kanë në Kinë, një prirje që mund të sjellë tensione sociale dhe të minojë rimëkëmbjen ekonomike më të forte,  se sa pritej. Miliona familje me të ardhura më të ulta në vend vazhdojnë të vuajnë nga  humbjet e vendeve të punës ose pagat e ulura.

Në anën tjetër, Europa momentalisht po shton kufizimet si masë për të luftuar pandeminë. Bashkimi Europian është në një recesion të thellë, numri i infeksioneve po rritet ndjeshëm dita ditës, duke detyruar kështu Gjermaninë dhe disa vende të tjera europiane, të luftojnë kundër një bllokimi të dytë.