Kanali 7...

Kodi Zgjedhor/ Mediu me rezerva: Opozita duhet të ishte më e vëmendshme

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu nuk është fort i kënaqur me punën e bërë nga opozita jashtëparlamentare në Këshillin Politik për Kodin Zgjedhor. Gjatë një interviste për “Quo Vadis”, Mediu tha se opozitës i shpëtuan detaje të rëndësishme që do të garantonin një proces zgjedhor më të lirë.

 

“Do të thosha që opozita duhet të ishte më e vëmendshme në atë çfarë kërkonte me Kodin Zgjedhor dhe atë çfarë donte të realizonte. Është marrë me të madhen, por besoj se ka harruar detaje të cilat janë të vlefshme në një proces zgjedhor sidomos në pikëpamje të ligjit elektoral. Ajo që duhet të bënte dhe të bëjë opozita është një transparencë shumë herë më e madhe me publikun dhe me faktorin ndërkombëtar për kërkesat që ka, duke i referuar ato jo thjesht si kërkesa të vetat por si kërkesa dhe standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

 

Aleati i PD vlerësoi se Kodi Zgjedhor është shumë problematik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas Mediut, Edi Rama do të tentojë të manipulojë procesin zgjedhor. Prandaj ai ka këtë thirrje për opozitën:

 

“Duhet të jetë e organizuar, jo vetëm në aspektin e marrëdhënies me nivelet e larta, por sidomos me çdo qendër votimi për të mos lejuar manipulimin e zgjedhjeve.”