Kanali 7...

Lia e majmunëve arrin në Serbi

Serbia konfirmoi të premten rastin e parë me linë e majmunëve.

Instituti i shëndetit publik në këtë vend, Batut, tha se rasti është i importuar.

Në komunikatën e tij për media thuhet se janë marrë të gjitha masat e parapara për evidentimin, testimin, raportimin dhe kontrollin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit.

Në përputhje me Rregulloret dhe Protokollet Ndërkombëtare të Shëndetit, rasti i parë i konfirmuar i lisë së majmunëve në Serbi u raportua në institucionet ndërkombëtare shëndetësore, tha Instituti Batut.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për ruajtjen e shëndetit.

Lia e majmunëve është një virus që shkakton temperaturë, skuqje në lëkurë dhe puçrra.

Zakonisht është e lehtë, por ka dy variante kryesore të saj: varianti i Kongos, i cili është më i rëndë – me vdekshmëri deri në 10 për qind – dhe varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë të vdekshmërisë në rreth 1 për qind të rasteve.

Virusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve dhe, më rrallë, midis njerëzve.

Ai është më i zakonshëm për vendet afrikane, por muajve të fundit ka pasur raste edhe në Evropë dhe SHBA./R.E.L