Kanali 7...

Maqedonia refuzon propozimin francez, Kovaçevski: I papranueshëm

Maqedonia e Veriut ka refuzuar propozimin francez me arsyetimin se është i pa pranueshëm.

 

“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

 

Kryeministri Kovaçevski vlerësoi se propozimi francez në formën siç është tani, është i papranueshëm për të si kryeministër, për presidentin e vendit si dhe për Maqedoninë e Veriut në tërësi.

 

“Bullgaria vendosi të kthehet në të kaluarën dhe të bllokojë procesin, gjë që nuk shpie askund. Ne si Maqedoni e Veriut kemi bërë shumë, tani radhën e ka Bashkimi Evropian”, tha Kovaçevski.

 

Nëse gjatë presidencës franceze ka mirëkuptim për kërkesat e Maqedonisë së Veriut, vendi është i gatshëm të vazhdojë procesin u shpreh kryeministri Kovaçevski.

 

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi e përkrah qëndrimin e Kryeministrit Kovaçevski në lidhje me dialogun bilateral me Bullgarinë dhe procesin eurointegrues.Sipas tij procesi integrues nuk duhet të bëhet peng i çështjeve bilaterale dhe të rrëmbehet nga mendësia e shekullit të XIX. Vendimmarja në Bashkimin Europian duhet të reformohet thellësisht pa asnjë vonesë.

 

“Ne nuk heqim dorë, sepse rrugë tjetër s’kemi, por as eksperiment në shekullin XXI nuk bëhemi”, thotë Grubi.

 

Osmani: Miratimi i rezolutës në Parlamentin bullgar e bllokon gjatë procesin evropian

 

Ministri i Punëve të Jashtme i MV, Bujar Osmani ka reaguar në lidhje me miratimin e propozimit francez në Parlamentin bullgar. Sipas Osmanit në rezolutën franceze u vendosën ndryshime pikërisht pikat më delikate të cilat nuk ishin definuar nga propozimi francez, marrë parasysh ndjeshmërinë.

 

“Dy fjalë qëndrojnë ndërmjet suksesit dhe mossuksesit të Bashkimit Evropian në rajon. Fjala “protokoll”, në kornizë, si paradigmë e çështjeve historike dhe fjala “hapje” në paragrafin gjashtë nga përfundimet e Këshillit. Që të dyja fjalët nuk janë në propozimin francez si vendime finale, por janë të vendosura si çështje për ta cilat nuk mund të arrihet pajtueshmëri për shkak pozicionit të Republikës së Bullgarisë. Miratimi…i rezolutës në Parlamentin bullgar, do të bllokojë procesin evropian në periudhë afatgjate”, ka deklaruar Osmani. DW/