Kanali 7...

Meta çon Kodin në Venecia: Edhe Ramiz Alia i dha mundësi opozitës të marrë pjesë në zgjedhje

Komisioni i Venecias do të duhet të shqyrtojë edhe dosjen e dërguar nga presidenti Ilir Meta për Kodin Zgjedhor, të miratuar nga mazhoranca. Lajmin se i është drejtuar Venecias, Meta e dha në një konferencë për gazetarët. Ai deklaroi se ende shpreson për një reflektim nga ana e shumicës.

 

“Unë si president kam marrë në konsideratë një kërkesë zyrtare të Opozitës së Bashkuar për t’ju drejtuar Komisionit të Venecias. E ndjeva detyrim sepse Opozita e Bashkuar e pranoi kërkesën dhe insistimin tim që të mos vendosnin si kusht krijimin e qeverisë teknike për marrëveshjen e 5 Qershorit. Edhe pse opozita e kishte të drejtën për të mos patur asnjë lloj besimi tek kjo qeveri për standardet e zgjedhjeve. Venecia është një komision shumë i rëndësishëm. Kjo tani është një çështje për të cilën unë shpresoj të ketë reflektim. Presidenti nuk ka se çfarë takimi të zhvillojë sepse është firmosuar marrëveshja në 5 Qershor dhe të gjithë kanë vetëm një detyrë, ta respektojnë. Sesi do të veprojë mazhoranca, kjo është përgjegjësi e tyre.”

 

Kryetari i shtetit kërkoi nga kryeministri Edi Rama të marrë shembull nga Ramiz Alia, që sipas tij, i dha mundësinë opozitës të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje.

 

“Edhe ish presidenti Ramiz Alia i dha mundësinë opozitës të merrte pjesë në zgjedhje, u soll në një mënyrë shumë bashkëpunuese, shumë demokratike.Të mos biem në pozita kaq të rënduara, që e dëmtojnë stabilitetin e vendit, por edhe vetë performancën e kryeministrit si kryetar i OSBE.”

 

Ilir Meta nënvizoi se nuk ka asnjë mundësi që opozita të bojkotojë procesin zgjedhor të 25 prillit.