Kanali 7...

Meta thirrje mazhorancës nga Korça për reflektim: Populli kërkon paqe

Pasi firmosi dekretin për kthimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend, presidenti Ilir Meta komentoi vendimin nga Korça. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se ky është një shans për mazhorancën të reflektojë për Kodin Zgjedhor.

“Me qëllim rikthimin e aktit në shinat e 5 qershorit, kjo ishte një arsye kryesore për t’i dhënë mundësi tjetër mazhorancës që të reflektojë, të respektojë këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, përndryshe padyshim që do të mbajë një përgjegjësi kritike. Jo vetëm për këtë precedent të rrezikshëm në 3 dekada në mënyrë të njëanshme dhe për vonesën pa fund të procesit të çeljes së negociatave. Respektimi i kësaj marrëveshje është kusht i padiskutueshëm për BE.”

Meta tha se shumica duhet të ndryshojë qëndrim për hir të popullit, që mezi pret t’i hapen negociatat.

“Presidenti është shumë i qetë për arsye se është në një gjatësi vale me popullin shqiptar. Pavarësisht nga referencat partiake apo politike, apo i gjithë populli shqiptar që është pa parti dhe i mërzitur nga to dhe lojërat e tyre, kërkon që t’i jepet fund kësaj krize artificiale. Kuvendi i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë në këtë gjendje jo kushtetuese. Populli kërkon paqe dhe integrim europian. Kjo nuk mund të arrihet pa pasur reflektim nga parlamenti.”