Kanali 7...

Ministri grek: Janë të gjitha kushtet që Athina e Tirana ta zgjidhin kufirin detar

Në një kohë kur marrëdhëniet me Turqinë për detin janë ende të tensionuara dhe dukshëm larg zgjidhjes, ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias përgëzon Shqipërinë për vullnetin që po tregon duke pranuar rrugën paqësore për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull.

NIKOS DENDIAS

MINISTER I JASHTEM I GREQISE

“Dua të theksoj se, ashtu si me marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, në rastin e Shqipërisë, Greqia provon në praktikë se mund të zgjidhë problemet me një busull sipas ligjit ndërkombëtar, dialogut konstruktiv dhe parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Në rastin e Shqipërisë ka një mirëkuptim të qartë në këtë dretjim sepse vendi po punon që të jetë anëtar i familjes evropiane.”

Shefi i diplomacisë greke në një intervistë për mediat vendase, sqaron më tej se zgjidhja e çështjes së detit në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë nuk ka pse të hasë pengesa pasi të dyja palët po tregojnë vullnet për këtë.

“Ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku për të sjellë çështjen e demarkacionit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pas përfundimit të procesit të shtrirjes së ujërave territoriale të të dy vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar Detar. Nëse ka vullnet, besoj se procesi nuk do të jetë problem. Zgjidhja e kësaj cështjeje të prapambetur do të jetë e dobishme për të dy vendet. Janë të gjitha kushtet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dy palët gjatë vizitës sime të funditnë Shqipëri, dhe për të forcuar agjendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në një drejtim të tillë.”

Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm grek ishte i pranishëm në Tiranë, ku siguroi angazhimin e kryeministrit Rama për ta zgjidhur çështjet e delimitimit të zonës detare në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë.