Kanali 7...

Ndalohen organizimet e jashtme në një pjesë të Francës si pasojë e motit të nxehtë

Ngjarjet publike në ambiente të jashtme janë ndaluar në disa pjesë të Francës, si pasojë e temperaturave të larta.

 

Koncertet dhe organizimet e mëdha publike janë anuluar afër qytetit Bordu.

 

Është raportuar edhe për anulim të disa ngjarjeve në ambiente të brendshme, të cilat nuk kanë kondicioner.

 

Të enjten, në disa pjesë të Francës janë shënuar temperatura në deri 40 gradë Celsius dhe ato pritet të rriten edhe më shumë të shtunën.

 

Nxehtësi e tillë në këtë periudhë të vitit, nuk është regjistruar ndonjëherë në Francë.

 

Ministria e Brendshme franceze ka paralajmëruar njerëzit që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos ekspozojnë veten në këtë mot të nxehtë.

 

Autoritetet për motin kanë thënë se Franca po përballet me një mot të tillë për shkak të ajrit të nxehtë që është bartur nga veriu i Afrikës.

 

Shkencëtarët thonë se periudhat e të nxehtit ekstrem janë duke u bërë më të shpeshta dhe janë duke zgjatur më shumë si pasojë e ngrohjes globale.

 

Spanja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar janë duke regjistruar po ashtu temperatura të larta.

 

Spanja, e cila ka regjistruar ditën më të nxehtë të muajit maj prej nisjes së shekullit, pritet të regjistrojë temperatura deri në 43 gradë Celsius këtë fundjavë, sipas meteorologëve.

 

Për temperatura të tilla nuk është raportuar vetëm në Evropë këtë javë.

 

Të mërkurën, një e treta e gjithë popullsisë së Shteteve të Bashkuara është udhëzuar që të qëndrojë në ambiente të brendshme, për shkak të temperaturave rekorde. REL/