Kanali 7...

“Nga Tirana deri te bashkia e fundit”/ Rama i prerë me kryebashkiakët: Do hyjmë në fazën e shtrëngimit pa tolerancë

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet gjatë takimit në Pallatin e Kongreseve me kryebashkiakët e vendit.

 

Gjatë fjalës së tij, Rama i ka paralajmëruar për masa shtrënguese për detyrimet e prapambetura. Rama tha se të gjithë kryebashkiakët duhet të fillojnë të mendojnë seriozisht si të shtojnë të ardhurat financiare.

 

“Dua të ndalem shkurtimisht në disa aspekte. Së pari, në aspektin e detyrimeve të prapambetura, siç edhe në fakt e kemi diskutuar më parë dhe siç kam pasur rastin t’ua komunikoj, ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë, në bazë të parametrave të dakordësuara, jo kot. Kjo është e domosdoshme, sepse nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që kemi përpara. Kjo është e pamundur. Nga ana tjetër, rritja e performancës nga bashkitë është prioritet.

 

Nuk ka si të rritet performanca e tyre, nëse nuk forcohen financat e tyre. Nëse bashkitë nuk fillojnë realisht dhe seriozisht të mendojnë si të shtojnë të ardhurat financiare, do ketë shtrëngim. Është e dhëna më dramatike e të gjithë këtyre 30 viteve, që volumi i aktiviteteve që lidhin direkt bashkitë me krijimin e të ardhurave jobuxhetore, është minimal, afër zeros.

 

Është e pamundur që ne akoma sot në nivel bashkiak, që nga Tirana, që është kryesorja, e deri te bashkia e fundit, nuk kemi asnjë aktivitet ekonomik të pavarur që prodhon të ardhura. Duke filluar nga ndërtimi. Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe të krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim”, tha Rama.