Kanali 7...

“Një buxhet për luksin e pushtetit”/ PD akuzon Ramën për thellimin e varfërisë

Opozita i vijoi edhe sot akuzat e saj per projekt buxhetin e vitit 2021. Sipas partise demokratike, Edi Rama eshte kujdesur te favorizoje oligarket si dhe te shpenzoje qindra milione per luksin e zyrave, duke mbajtur ne nivele kritike borxhin publik.

 

Projekt buxheti 2021 i publikuar dy ditë më parë mund të përmblidhet në pak fjalë, klientelizëm, luks, braktisje, dështim dhe paaftësi. Së pari, qeveria do të gllabëroj të gjithë vlerën e shtuar të ekonomisë me anë të huamarrjes, me anë të borxhit. Vetë qeveria parashikon që Produkti i Brendshëm Bruto do të rritet me 830 milionë euro gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që po vetë qeveria ka planifikuar deficitin 2021 në plot 890 milionë euro. E gjithë rritja ekonomike praktikisht do të konsumohet nga tafmaja qeveritare për shpenzime jo produktive. Së dyti, ligjërohet urdhëri “Kap ça të kapësh”. Për të kryer sa më shumë tendera, për të kapur çdo qindarkë që ka mbetur ne arkën e shtetit, për të prerë shiritat elektorale, qeveria për herë të parë në historinë 30-vjecare, autorizon kryerjen që këtë vit të procedurave të prokurimeve publike të vitit tjetër ende pa u çelur buxheti në janarin e vitit të ardhshëm. Fondet ende nuk janë çelur, por institucionet të prokurojnë me urgjencë – urdhëron Rama.Së treti, ky nuk është buxheti që mbështet biznesin, asgjë për ta, përkundrazi, rriten me 25 milionë euro detyrimet e tyre për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.Së katërti, ky nuk është buxheti i pensionistëve, pasi nuk parashikon rritje reale të pensioneve për mbi 650 mijë pensionistë, e jo më për bonusin e tyre për festat e fundvitit.Dhe së pesti, po jo më pak nga rëndësia, ky nuk është buxheti i njerëzve të thjeshtë, i të papunëve, i sipërmarrësve shqiptarë, por është buxheti i oligarkëve të PPP-ve dhe qeveritarëve të shpenzimeve luksoze. 118 milionë euro për PPP korruptive dhe klienteliste dhe mbi 38 milionë euro për rikonstruksione godinash, pajisje zyrash apo blerje makinash.

 

Dorian Teliti thotë se me këto para mund të ndihmoheshin mbi 1 milionë shqiptarë për 3 muajt e parë të 2021 me paketën Basha për daljen nga kriza, paketë e cila ka kosto mujore prej 52 milionë euro.

 

Edi Rama e ka ndarë mendjen dhe nuk do të ndërmarrë paketën e tretë aq të domosdoshme për ti bërë ballë realitetit të hidhur që po jetojmë, por ama parashikon që të shpenzojë 1.6 milionë euro për rikonstruksionin e godinës kryeministrore. Edi Rama dhe Erjon Veliaj nuk mendojnë se me çfarëdo të ushqehen të pamundurit, por ama parashikojnë të shpenzojnë 4 milionë euro për ri jetësimin e piramidës. Këto janë të vërtetat e hidhura të këtij projektbuxheti dështak.