Kanali 7...

Nuk ndalen protestat anti-covid në Europë. Protestuesit përplasen me policinë

Europa vazhdon të përballet me masa të ashpra kundër koronavirusit, masa këto që po kundërshtohen fort nga banorët e vendeve të ndryshme të Europës.

Duke filluar nga kjo e premte, miliona britanikë do të jetojnë nën kufizimet e ashpra të fazës së tretë të mbylljes për një periudhë 2 javore. Izolimi i fazës së tretë përfshin Manchesterin, Lancashire dhe Liverpool, si zona me rrezikshërinë më të lartë të infektimeve. Banorët  dolën në protesta duke kundërshtuar kufizimet në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë që në Melbourn të Australisë, qindra protestues dolën në qendër të Victori-as duke i bërë thirrje policisë për ti dhënë fund bllokimit të vendit si pasojë e Covid-19.

Tubuesit u përplasën me forcat e policisë që përdorën spraj për të shpërndarë qytetarët. Pjesa më e madhe e tubuesve kanë qenë pa maska, çka ka detyruar policinë të arrestojë disa prej tyre, pas kundërshtimit për t’i vendosur maskat.

Policia arrestoi 16 persona dhe lëshoi ​​96 ndëshkime për vepra penale, duke përfshirë mos mbajtjen e maskës, shkeljen e udhëzimeve të mbledhjes publike, udhëtimin më shumë se 25 kilometra nga shtëpia, sulmin ndaj policisë dhe mos deklarimin e emrit dhe adresës së tyre.

Protestuesit mbajtën pankarta me parulla të tilla si “Media është virusi”, “Covid-19 është një mashtrim”, etj.

Tubime kundër kufizimeve ka pasur edhe në kryeqytetin e Irlandës, Dublin, të enjten pasdite.

Edhe në Dublin u regjistruan përplasje mes policisë dhe qytetarëve. 11 arrestime janë kryer si pasojë e shkeljes së rendit publik, ku sipas policisë qëllimi kryesor i tyre ishte të siguroheshin që rrugët e vendit të mos bllokoheshin nga protestuesit. Nga ana tjetër protestuesit janë shprehur kundër kufizimeve të ashpra të tilla si mos udhëtimi 5 km nga shtëpia e tyre dhe mbylljen e bizneseve.