Kanali 7...

Osmani kërkon ndihmën e Gjermanisë për njohje të reja dhe liberalizim të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja të shtetësisë së Kosovës, si dhe për anëtarësimin e këtij vendi në organizata ndërkombëtare, gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier në Gjermani.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, Osmani ka kërkuar mbështetje nga ky shtet për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, është citur të ketë thënë Osmani.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen./ Rel