Kanali 7...

“Paraja kriminale ka deformuar tregjet”/ Malaj: Investimet në Shqipëri janë bërë të shtrenjta

Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm pritet të vuajë pasojat e lidhura me pandeminë dhe me barrën e rindërtimit pas tërmetit të vitit të kaluar. Me rënien e ekonomisë, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, papunësia do të rritet dhe konsumi pritet të bjerë.

Në një lidhje me edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka folur për rolin që duhet të luajë buxheti i shtetit për vitin 2021 dhe si duhet ushqyer ekonomia.

“2020 dhe 2021 janë vite të vështira: tërmeti, pandemia dhe elementet e keqqeverisjes. Buxheti i 2021 duhet parë me dashamirësi dhe përgjegjshmërinë e politikave të nevojshme. Ndodhemi në kulmin e valës së dytë të pandemisë në vendet evropiane, e cila do të nisë edhe në Shqipëri. Nuk ka kuptim që kryeministri të bëjë deklarata që s’do të ketë një paketë të tretë apo të katërt. Borxhi do të jetë më i lartë, por në kohë krizë ka rritje papunësie, varfërie dhe borxhi. Përse po e përdorim borxhin? Ekonomia duhet ushqyer. Nëse nuk konsumon individi dhe biznesi, duhet të shpenzojë qeverisa sepse përndryshe ekonomia vdes dhe papunësia rritet. Duhet të kete një debat përse do i përdorim paratë që të ndihmojmë ekonominë, të mos bjerë më poshtë, të fillojë të ringrihet dhe më pas të rimëkëmbët.”

I pyetur se çfarë duhet të bëjnë ata persona që kanë qëllim të investojnë, Malaj tha se në kohë krizë, kjo është mundësia më e mirë për të parë investime në ekonomi. Mirëpo, çdo hap duhet të synojë maksimizimin e kursimit.

“Në kohë krize, ata që kanë likuiditete është mundësia më e mirë për të parë investime në ekonomi reale. Çdo hap duhet të jetë i menduar mirë dhe duhet të synojë të maksimizojë atë kursim, pasi nuk është një e ardhur spontane. Investimet në Shqipëri janë bërë pak me të shtrenjta sepse paraja informale dhe kriminale ka deformuar tregjet. Si ato të patundshme dhe një pjesë e bizneseve që ata kontrollojnë. Një para e papërdorur dhe në kushtet kur interesat janë zero, fillon dhe humbet një pjesë të vlerës së saj.”