Kanali 7...

Patozi apel qytetarëve: Më 25 prill të ndalim ata që kanë marrë peng Shqipërinë.

Drejtuesi i “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi iu bën thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 25 prillit të ndalin “fanatikët e kryetarokracisë”.

Në një postim në “Facebook”, Patozi shkruan se këto zgjedhje janë një ftesë e hapur për të gjithë shqiptarët e lirë që ta refuzojnë këtë model politik, të cilin e konsideroi të neveritshëm.

“Fanatikët e kryetarokracisë janë pakicë. Fati i Shqipërisë nuk mund të mbetet në dorën e një grushti militantësh radikalë, të cilët janë shumë pak në raport me të gjithë shqiptarët e tjerë. Ata janë komisionerë, numurues, protestues, duartrokitës, doganierë, tatimorë, janë policë, por edhe të burgosur politikë, janë blerës, por edhe shitës votash. Në të gjitha rastet me mëlçitë e varura në qafë, si trofe për shërbimet e ulëta dhe të paligjshme, që kryejnë. Kjo tufë, që sa vjen e zvogëlohet, por duke përqëndruar më shumë pushtet në duar, është në fakt krijesa më e shëmtuar e kryetarokracisë. Është, si të thuash, garda e saj, për të cilën është punuar vite me radhë.”

Për Patozin, shumica nuk mund ta lërë të ardhmen në mëshirën e partive të vjetra, të cilat, sipas Patozit, janë në pakicë.

“Ata nuk mendojnë, nuk vënë asgjë në diskutim, por vetëm zbatojnë verbërisht urdhrat e shefave, ndërkohë që fuqinë okulte e marrin gjatë zgjedhjeve tona, gjithmonë e më problematike. Duke funksionuar si batalione jeniçerësh në mbrojtje të sulltanateve të tyre, që bëhen përherë e më kërcënuese për qytetarët normalë dhe të parreshtuar politikisht. Ndaj këto zgjedhje janë një ftesë e hapur për të gjithë shqiptarët e lirë që ta refuzojnë këtë model të neveritshëm politik. Ku partitë e vjetra janë shndërruar në reparte paramilitare fanatikësh, të cilët mbrojnë apo sulmojnë për interes dhe llogari të 3-4 personave, që kanë marrë peng gjithë Shqipërinë. Ata janë pakicë dhe si të tillë duhet të trajtohen, por që kjo të realizohet, shumica nuk mund ta lërë të ardhmen e vet në mëshirën e tyre. Ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë: votë kundër tyre, që t’i ndalim më 25 prill!”