Kanali 7...

PD: Buxheti 2021, mashtrim elektoral dhe një përpjekje për të vjedhur qytetarët

Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku e konsideron buxhetin për vitin 2021, një mashtrim elektoral dhe një përpjekje për të vjedhur qytetarët, teksa thekson se ky është buxheti i fundit i kryeministrit në ikje.

Në një deklaratë për mediat, Tabaku u shpreh se ka vetëm një tregues i cili është në rritje dhe ai është borxhi që ka arritur në shifrën rekord të 97%.

“Ka dy lajme nga projektbuxheti i vitit 2021. Ka një lajm të keq dhe një lajm të mirë. Lajmi i keq është se buxheti i paraqitur është një mashtrim elektoral dhe një përpjekje për të vjedhur deri në minutën e fundit në largim. Ndërkohë që lajmi i mirë është se ky është buxheti i fundit i kryeministrit në ikje. Treguesit e siguruar nga vetë qeveria pohojnë se: • Vendi është në rënie ekonomike prej 6,1%. Por sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kjo shkon deri në 9%. • Konsumi i qytetarëve është me rënie me 7.5%. • Ndërkohë që investimet totale në vend kanë rënë me 13% duke treguar ngërçin e madh që ka ekonomia shqiptare. Ka vetëm një tregues i cili është në rritje. Është borxhi! Borxhi ka arritur në shifrën rekord të 97%. Merret borxh për të paguar faturat korruptive të koncesioneve, merret borxh për të shlyer tenderat me çmime të fryra të rrugëve, që qeveritarët të kenë mundësi të vjedhin. Merret borxh për rroga, merret borxh për pensione, sepse kjo qeveri as nuk di, as nuk e do mirëqenien e shqiptarëve. Buxheti i fundit i Edi Ramës konfirmon politikën e tij 8-vjeçare kundër interesit publik, në shërbim të oligarkëve dhe klientelës së tij. Prioritet madhor për qeverinë janë pagesat për koncesionet që vjedhin shqiptarët dhe çojnë taksat e tyre në parajsat fiskale.”

Sipas Tabakut, treguesit e siguruar nga vetë qeveria pohojnë se vendi është në rënie ekonomike prej 6,1%. Mirëpo, ajo theksoi se të dhënat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar hedhin poshte keto pretendime, pasi shkojnë deri në 9%.

“Ky është buxheti i mafias së plehrave, që do të vazhdojë të paguhet qindra milionë lekë për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Buxheti nuk ofron as më shumë investime në infrastrukturë, as më shumë buxhet në arsim, as më shumë investime në arsim dhe as më shumë investime në bujqësi. Ky është një buxhet mashtrimi që synon që të fshehë gjendjen e mjerueshme reale në të cilën ndodhen financat publike. Ky buxhet, me buxhetin e koncesioneve i cili këtë vit shkon në shifrën e paprecedentë të 120 mln euro, ashtu siç shfaqet edhe në tabelën në ekranin pas meje, është dëmi më i madh që i bëhet ekonomisë shqiptare nga njëra anë por nga ana tjetër tregon edhe politikën e tij që edhe në ikje nuk ndryshon, fatura koncesionesh dhe PPP të fryra me vetëm një qëllim, për t’i dhënë para klientëve në oborrin e tij dhe oligarkëve. Qeveria që pretendon se do të rindërtojë vendin deri më tani ka dështuar që të mbajë fjalët e saj me buxhetin 2020 dhe me procesin e rindërtimit. Por e vërteta është se mbi 40% e prodhimit kombëtar janë kostot totale të PPP-ve që qeveria aktuale ka dhënë deri më sot. Më 25 prill Shqipëria do të votojë për të punuar dhe jo për t’u ridhënë me koncesion. Jemi me fat se të paktën ky është buxheti i fundit i Edi Ramës.”