Kanali 7...

PD dorëzon në SPAK kallëzim penal edhe për inceneratorin e Fierit

Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzim penal edhe për inceneratorin e Fierit.

Në emër të PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe Çlirim Gjata depozituan një padi ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrit Arben Ahmetaj dhe ish-ministrit Lefter Koka për “shpërdorim detyre”, “krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe marrjen e masës së sigurimit “pezullim i menjëhershëm nga detyra”.

PD akuzon zyrtarët e qeverisë se kanë shpërdoruar detyrën në kontratën koncesionare të inceneratorit të Fierit, duke i cilësuar inceneratorët si trekëndëshi i Bermudës, ku “zhduken miliona euro”.

Sipas përfaqësuesve, fituesi i inceneratorit të Fierit ishte paracaktuar, ndërsa i bënë thirrje SPAK që t’iu shpjegojë shqiptarëve “menjëherë aktivitetin e grupit të strukturuar kriminal për të vjedhur shqiptarët me incineratorët”

“Ajo çfarë kemi kërkuar ne dhe kërkojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, janë paratë e qytetarëve shqiptarë të cilat janë vjedhur. Kërkojmë që të fillojë hetimi. Hetimi të fillojë për së mbari dhe pyetja juaj kërkon bashkimin apo jo, unë po e them thjeshtë dhe vetëm për aq sa publiku e kupton: Në këtë hetim ka një dhe dy individë. Klodian Zoto, Klodian apo Mirel Mërtiri, janë ata të cilët kanë xhiruar gjithçka me mbështetjen e Edi Ramës, të ministrit të mjedisit, të Arben Ahmetajt, dhe të një turre tjetër administratorësh të lartë. Që do të thotë se në fakt është një aferë e vetme korruptive e cila i ka grumbulluar të gjithë si mizat për të zhvatur paratë e shqiptarëve. Për të arritur deri tek bashkimi i hetimeve, duhet të fillojë hetimi”, deklaroi Alibeaj.