Kanali 7...

PD padit në SPAK Ramën, nën akuzë për inceneratorët edhe Ahmetaj, Koka e Veliaj

Partia Demokratike paditi sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ish- ministrin e Mjedisit Lefter Koka për “Shpërdorim detyre”, “Shkelje te barazisë në tendera publike” si dhe “Krijimin e grupit të strukturuar kriminal”. Ata dyshohet se janë implikuar ne çështjen e inceneratorëve, që sipas opozitës, është një aferë e pastër korruptive.

Pas padisë, përfaqësuesit e PD ngritën pyetje publike mbi mënyrën se ai u miratuan kontratat koncesionare.

 

ÇLIRIM GJATA

SEKRETARI I ÇËSHTJEVE LIGJORE, PD

 “Si kjo kompani i fiton të treja tenderët, si ka mundësi që një ditë më përpara kjo kompani regjistrohet me 100 mijë lekë kapital diskutohet për qindra milionë euro dhe merr 23 milionë euro pa bërë asnjë punë, çfarë kuptimi ka që qeveria e jep me koncesion këtë punë, kur nuk është bërë asgjë, pagesat nisin që në fillim pa nisur puna, pa nisur përfitimi i të dyja palëve”

 

Ndërkohë, partia demokratike shprehu shqetësimin për reagimin e prokurorisë ndaj kësaj çështjeje, edhe pse akuzat publike për korrupsion me këto koncesione janë bërë prej afro tre vitesh.

“Ka 3 vjet që bëhen denoncime të ndryshme në media, pse duhet të presë SPAK apo kushto tjetër, pse duhet të presë një denoncim formal. ka 3 vjet kjo, pse duhet të presë denoncimin tonë, denoncimet janë dytësore sa i përket procedurës, pse kur ndodh një vrasje, prokuroria do të presë familjen që të bëjë denoncim, apo e fillon kryesish, çfarë duhet të bëjë SPAK a mund të shkoj deri në QKR dhe të shikojë kur u krijua kompania që fitoi tenderin e inceneratorit?”

Padia e parë për inceneratorin e Fierit u bë në datën 24 qershor nga nisma “THURJE”. Përfaqësues të saj dorëzuan një kallëzim penal  në Spak, duke kërkuar hetimin e procedurave për këtë vepër si dhe fituesit e saj.