Kanali 7...

Për sa kohë do të jetë e detyrueshme maska jashtë? Flet Rama

Kryeministri Edi Rama i dha përgjigje pyetjes se për sa kohë do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskës në ambientet e jashtme. Në një konferencë për gazetarët, teksa prezantoi platformën “Deputeti që duam”, Rama tha se masa do të jetë në fuqi për një kohë të gjatë. Arsye për këtë dha faktin që dimri është para.

 

“Këto do t’i mbajmë pak si gjatë kam përshtypjen për shkak të dimrit, për shkak të rrezikut të shtuar që vjen nga gripi i stinës dhe nëse marrim edhe COVID gjërat shkojnë më keq. Gjobat do të vijnë tek fatura e dritave. E rëndësishme është që nuk duhet ta refuzojmë këtë, nuk duhet ta vëmë me idenë që do të marrim gjobë. Kam kërkuar nga Policia e Shtetit që të jetë shumë e vëmendshme dhe ta ketë vëmendjen tek Parlamenti i Shqipërisë dhe tek institucionet. Unë e kam mbajtur maskën sot edhe në makinë. E mbajmë sepse duhet mbajtur në këtë fazë. Në Gjermani po e vënë të gjithë, edhe brenda, edhe jashtë. Është për vete, për familjen dhe njëri-tjetrin.”

 

Shefi i qeverisë theksoi se kjo është një luftë e gjatë dhe e vështirë dhe se mund të përballohet vetëm nëse të gjithë bëhen bashkë. Rama u shpreh i kënaqur se shumica dërrmuese e qytetarëve e kishin vënë maskën sot, si ditë e parë e masës në fuqi.