Kanali 7...

Përplasje në Bullgari për “Veton”/ Presidenti akuzon Kryeministrin se po dëmton interesat e vendit

Heqja e vetos ndaj Maqedonisë se Veriut për negociatat ka përçarë kasën politike  Bullgare.

 

Presidenti Rumen Radev ka akuzuar sërish kryeministrin Kiril Petkov se dëmton interesat e vendit.

 

Kryeministri Petkov ka paraqitur së fundmi në Komisionin për Politikë të Jashtme një propozim nga qeveria franceze, e cila ka të bëjë me zgjidhjen e ngërçit mes Sofjes dhe Shkupit, por ky propozim nuk është pritur mirë nga opozita dhe presidenti Radev.

 

RUMEN RADEV

PRESIDENTI I BULLGARISE

Kabineti dështoi në hartimin e një propozimi bullgar dhe tani po paraqet një propozim francez, duke fajësuar Asamblenë Kombëtare. Kryeministri nuk mund të paraqesë një propozim të huaj. Ai nuk është korrier, por kryeministër.

 

Radev tha se qëndrimi i tij është i qartë lidhur me veton për Maqedoninë e Veriut.

 

RUMEN RADEV

PRESIDENTI I BULLGARISE

Propozimi i presidencës franceze është një hap në drejtimin e duhur, por mbeten një sërë çështjesh që duhet të sqarohen para se të hiqet vetoja.

 

Sipas presidentit, derisa kërkesa e Bullgarisë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut të pranohet, vetoja nuk duhet të hiqet.

 

RUMEN RADEV

PRESIDENTI I BULLGARISE

Kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet para fillimit të negociatave. Por jo më pak të rëndësishme janë mekanizmat e qartë dhe kriteret e matshme për zhdukjen e politikës dhjetëvjeçare të debullgarizimit, vjedhjes dhe falsifikimit të historisë bullgare, si dhe për restaurimin e monumenteve të shkatërruara dhe shenjave të bullgarizmit në këto troje dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore bullgare.

 

Radev theksoi se zhdukja e gjuhës së urrejtjes, duhet të bëhet pa humbur kohë dhe se ai pret që qeveria bullgare t’i sqarojë këto çështje, të kërkojë mekanizma dhe garanci të qarta para se të shkojë në heqjen e vetos.