Kanali 7...

Përplasje PD-LSI?/ Braimllari tregon pse do të garojnë me lista të ndara në 25 prill

Opozita përfundimisht do të garojë jo në një koalicion të vetëm, por ndarazi. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari deklaroi në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus se LSI do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit me qëllim maksimalizimin e votës.

Sipas tij, LSI po ndjek këtë strategji, pasi përfaqësohet nga figura të rëndësishme dhe ka potencial të jashtëzakonshëm.

“Është e qartë për opinionin publik. Ne kemi një front të gjerë opozitar, por nga ana tjetër LSI ka vendosur të hyjë në lista me vete në procesin zgjedhor të 25 prillit. Kjo strategji bëhet për të maksimalizuar votën, e cila është në shërbim të një fronti të gjerë opozitar kundër kësaj keqqeverisje. LSI ka potenciale të jashtëzakonshme për t’u përfaqësuar në 12 qarqet e vendit dhe brenda listës së LSI do të ketë profesionistë të nderuar dhe personazhe që kanë qenë në shërbim të komunitetit për vite me radhë. E gjithë kjo strategji e frontit opozitar ka vetëm një qëllim: maksimalizimin e votës.”

I pyetur nëse po shfaqet një rivalitet mes PD dhe LSI, Braimllari mohoi pretendimet për një përplasje mes dy forcave politike.

“Ne kemi një front të gjerë opozitar kundër kësaj keqqeverisje. Pas zgjedhjeve të 25 prillit, synojmë të kemi një program që të rikthejë shpresën në vend. Nuk besoj se ka energji brenda këtij fronti për t’u përplasur. Ne bashkë jemi në process zgjedhor, por vendosëm të garojmë në lista më vete, sepse kemi figura potenciale; ne jemi një forcë politike e qendrës së majtë, ndaj maksimalizimi i forcës së LSI ka këtë target.”

Sa iu përket akuzave të bëra nga qeveria ndaj presidentit Ilir Meta se po bën fushatë për LSI-në, Endrit Braimllari tha: “Nuk po shoh ndonjë fushatë nga ana e Presidentit. Ai është në mbrojtje të interesit kombëtar dhe kushtetutës së vendit. Objektivi i LSI në Korçë: për të realizuar katër mandate në këtë qark; kemi nisur prej kohësh një punë në këtë qark, kemi një ekip të jashtëzakonshëm.”