Kanali 7...

PËRSE BERISHA S’DO LARGOHET KURRË NGA PD?! ‘GODINA’ SI SIMBOL I PUSHTETIT POLITIK

Opinion nga gazetari Xhoi Malësia

Debati më kryesor në përballjen Basha-Berisha lidhet me lidershipin ‘de jure’ dhe ‘de facto’ të Partisë Demokratike, ku për të parin argumentohet se ka fituar zgjedhjet e brendshme partiake e për të dytin se ka mbështetjen reale të bazës së kësaj force politike.

Demokracia sigurisht që funksionon mbi mandate, mbi zgjedhje demokratike, por në rastin e karrierës politike të doktor Berishës, pushteti është parë më shumë si formë, se sa si gjëndje. Një prej elementëve thelbësorë të lidershipit të tij politik e luan godina si simbol i pushtetit.

Nisur nga ky arsyetim, ka disa shembuj që mund të merren parasysh po të kthejmë kokën pas në historinë e brishtë 31-vjeçare të tranzicionit politik, por edhe po të analizojmë anën njerëzore të z. Berisha. Ai është lindur e rritur në kullë, një objekt që në kulturën e malësorëve përfaqëson diçka më shumë se një strukturë arkitekturore. Përgjithësisht, ky objekt shihet si simbol krenarie, territori, identiteti e madje edhe pushteti në kontekstin krahinor. Pra, kemi parasysh pragun e shtëpisë si koncept antropologjik.

Kjo traditë ose kulturë, me shumë mundësi ka qënë shtysa kryesore kur Berisha nuk pranoi të linte Presidencën në vitin 1997, edhe pse jeta e tij rrezikohej. Me këtë filozofi, një vit më vonë, u ngrit edhe protesta e famshme me arkivolin e Azem Hajdarit në krye, kur u mësy në ambientet e Kryeministrisë së drejtuar nga Fatos Nano. Berisha nuk e braktisi këtë formë mendimi as kur u rikthye në pushtet. Kujtojmë 21 Janarin e vitit 2011.

Ky identitet politik i formësuar ndër vite nga Berisha, nga dikush shihet si vlerë, e nga dikush tjetër si anti-vlerë, për dallim nga Nano dhe Rama që e kanë brakstisur Kryeministrinë sa herë ka patur një protestë me përmasa të paparashikueshme.

Për t’u rikthyer tek debati i ditëve të sotme. Do të ishte e vështirë të besohet se Berisha mund ta lerë Selinë e PD-së, sikurse nuk është asapak surprizuese ideja e një beteje ‘de facto’ përpara asaj ‘de jure’, ku “arenë” sigurisht që mbetet oborri i Partisë Demokratike.

Është e vërtetë që ky do të ishte kthim pas, e ndoshta jo një “praktikë” e marrë shembull nga partitë perëndimore. Por, është po aq e vërtetë mbështetja që gëzon Berisha. Nuk marr përsipër të them pak apo shumë, por guxoj të them “e mjaftueshme” për të krijuar mungesë rehatie tek Basha.

Berisha nuk ka më çfarë humb. I shpallur ‘non-grata’ nga Shtetet e Bashkuara dhe në greminën e përjashtimin nga partia që vetë themeloi e dominoi për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, lideri historik do të luajë të gjitha kartat, e nuk do t’i “kufizojë vetes asnjë të drejtë kushtetuese”.

Basha nga ana tjetër, ka shansin të fitojë betejën e parë të vertëtë politike në të gjithë karrierën e tij. Ai është i pakontestueshëm në aspektin ‘de jure’. Por, shumë i kontestuar në aspektin ‘de facto’. Thënë më thjeshtë, Basha duhet të mposhtë Berishën në lojën e tij, të bëjë Kuvendin sipas vendit, por me shumë gjasë nuk do të ketë farë një takim të kësaj natyre.

Stanjacioni duket skenari më i mundshëm, një gjëndje që në rradhë të parë nuk i vlen as Bashës, as Berishës, as demokratëve dhe me siguri, as shqiptarëve.