Kanali 7...

“Prindërit e mi u infektuan me COVID”/Braçe flet për vendimin e mbajtjes së maskës me detyrim

Zv.kryeministri Erion Braçe ka folur në emisionin “Quo Vadis” për vendimin e qeverisë për të bërë me detyrim duke filluar nga data 15 tetor mbajtjen e maskës në çdo lloj ambient.

Braçe tha se ky vendim u ndërmor në këtë sezon me qëllim mbrojtjen, duke pasur parasysh që ky virus mund të përzihet edhe me gripin e stinës.

“Ne presim që edhe me zgjerimin e aktiviteteve që hapen sic ishin shkollat, edhe me flukset e mëdha të njerëzve që hyjnë, qarkullojnë në të tilla ambiente, edhe për ndërthurjen e aktiviteteve familjare që shkojnë e vijnë, për shkak të prindërve që presin fëmijët, i shoqërojnë, por edhe për shkak të gripit të stinës ne të kemi flukse më të mëdha të individëve që mund të infektohen me një nga të dy viruset që qarkullojnë, qoftë me Covid-19, qoftë edhe me gripin sezonal. E pikërisht për tu mbrojtur, e për të mos lejuar asocimin e gripit sezonal me Covid-in, pa diskutim grupi i ekspertëve të shëndetit publik që asistojnë qeverinë, që merr vendime edhe për qeverinë, vendosi që maska, barriera prej tekstili, të jetë e detyrueshme për cdo ambient qoftë ky publik – i hapur, apo publik- i mbyllur por edhe ambiente të tjera të përdorin maskën.”

Teksa u pyet për mungesën e statistikave sa i përket jetëve të humbuar nga COVID, Braçe nuk e konsideroi me vlerë për të diskutuar, për aq kohë sa çdo njeri ka pasur dikë të infektuar me COVID. Ai tregoi që prindërit e tij kanë qenë gjithashtu të infektuar me koronavirus.

Sa i përket faljes së gjobave gjatë pandemisë, Braçe tha: “Gjobat që ishin vendosur gjatë përiudhës së Pandemisë, edhe përkundër mendimit tim që mund të ishte i ndryshëm nga ai që kanë vendosur institucionet, që ka vendosur qeveria, u falën për shkak të kalimit të një periudhe të gjatë dhe ky nuk është rasti i parë që falen gjobat në Shqipëri. Kohë pas kohe, gjobat e vendosura si pasojë e shkeljeve administrative edhe falen.”