Pronarët e bizneseve të mbyllura, në Campagnia dhe Lombardi, të cilat konsiderohen si dy vatrat kryesore të koronavirusit në Itali, kanë dale në protestë kundër vendimit të guvernatorit Fontana, për shtimin e masave kufizuese. Ndërkohë që janë paralajmëruar edhe disa tubime të tjera përpara bashkisë në ditët në vijim.
Ekspertët italianë kanë ngritur zërin për të paralajmëruar për pasojat e kufizimeve të reja. Sipas virologëve italianë, këto kufizime nuk duken të jenë kaq efektive në luftimin e pandemisë. Duke marrë parasysh pasojat e masave të reja, dëmi ekonomik do të ishte shumë më i lartë sesa përfitimet shëndetësore, sipas ekspertëve.
Alberto Zangrillo, virolog italian: Ndjenja ime qytetare më detyron të bindem, por terminologji të caktuara evokojnë skenarë që nuk do të doja t’u lija si trashëgimi fëmijëve të mi.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar është zhvilluar një protestë kundër kufizimeve të reja të fazës së tretë në qytetet e Liverpool, Lancshire dhe në Manchester. Protestuesit kanë kundërshtuar kufizimet e udhëtimeve, mbylljen e bizneseve të tyre si edhe mbajtjen e maskës me detyrim. Me banderola në duar, qytetarë kërkuan më shumë fonde nga qeveria për t’u ndihmuar financiarisht.
Kurse në Melbourn të Australisë, është planifikuar të zhvillohet një protestë të premten në 23 tetor. Qytetarët do të mblidhen kundër kufizimeve të reja për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por, rregullat e vendosura nga qeveria janë të qarta dhe nuk lejojnë grumbullimet me më shumë se 10 persona, me një distancë 1.5 metër dhe vendosjen e një maske. Duke marrë parasysh tubimin që do të realizohet, qeveria ka marrë masa duke angazhuar policinë e vendit për respektimin e këtyre masave.