Kanali 7...

Protesta para Parlamentit/ Kryetari i Sindikatës së Fermerëve: Ja çfarë i kërkuan sot në takim Ramës

Në minutat e para të protestës së fermerëve që u organizua para Parlamentit për të kundërshtuar paketën fiskale, mbërriti kryeministri Edi Rama, ftoi papritur një përfaqësi të tyre për një takim informal në ambientet e brendshme të Parlamentit.

 

Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduard Sharka, në një lidhje direke me edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, tregoi kërkesat që i adresuan sot në takim shefit të qeverisë.

 

I pyetur nga gazetari Roland Zili se çfarë do të ndodhë me çmimet nëse nuk do të ketë tërheqje nga qeveria, Sharka pohoi se nëse qeveria nuk subvencionon një pjesë të kostove, atëherë çmimet do të pësojnë rritje.

 

“Ne sot ishim para parlamentit për t’iu thënë deputetëve që mos ta miratonin këtë paketë fiskale, sepse ishte e pakonsultuar me grupet tona të interesit: me fermerët, shoqatën e eksportuesve dhe KASH. Nuk ishim përgatitur për takim, por në kushtet që jemi, e pamë si mundësi për të shprehur kërkesat tona. Kërkesat tona askush nuk i kishte parë. Fillimisht, kryeministri po na tregonte si e shihte ai bujqësinë, më pas ne dhamë këndvështrimin tonë, që nuk ishte i njëjtë me atë të qeverisë.  Buxheti kaloi siç ishte planifikuar, zëri jonë nuk u dëgjua.”

 

Fermerët kundërshtojnë paketën fiskale, sepse sipas tyre, nëse hiqet rimbursimi i TVSH 6% dhe vendoset TVSH 10% për inputet bujqësore, bujqësia dhe blegtoria do të rrënohen më tej.