Kanali 7...

Që të mbështesë demokracinë, SHBA duhet të luftojë korrupsionin në nivel global

Vetëm 30 minuta me makinë nga Shtëpia e Bardhë ndodhet një tjetër pronë. Një rezidencë me 6 dhoma gjumi, 9 banjo, e pajisur me një kinema, dhe një garazh me 7 makina luksoze. Kur kjo shtëpi u ble në vitin 2010, nuk ishte menjëherë e qartë se kush ishte pronari i saj i ri.

Sipas një investigimi të bërë më vonë, blerja është bërë nëpërmjet një kompanie off-shore.

Vetëm vite më vonë publiku mësoi se blerësit ishin Yahya Jammeh, ish-presidenti i Gambias dhe bashkëshortja e tij. Jammeh u largua nga Gambia pasi kreu shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, dhe përvetësoi miliona dollarë nga populli i tij.

Ai dyshohet se i transformoi një pjesë të atyre parave të vjedhura në disa mijëra metra katrorë në pronën e paluajtshme që bleu në Potomac, Md. Në mbarë botën, në vende të ndryshme si Rusia, Venezuela dhe Kina, të pasurit, dhe ata me lidhje të forta politike, i pastrojnë paratë e tyre të pista përmes rrjeteve komplekse të kompanive guackë apo transaksioneve që përfshijnë veprat e artit, pasuritë e paluajtshme, dhe herë pas here kriptomonedhat.

Ndonjëherë këto përfitime arrihen në mënyrë të paligjshme, dhe nganjëherë në mënyrë të ligjshme. Por që më pas fshihen në mënyrë të paligjshme për të shmangur pagimin e taksave. Por e përbashkëta e të gjitha akteve të korrupsionit, është se ato marrin burime nga qytetarët, e minojnë besimin e publikut, dhe kërcënojnë tek e fundit përparimin e atyre që luftojnë për demokraci.

Këtë javë, përfaqësues të më shumë se 100 vendeve, do të mblidhen për Samitin për Demokracinë të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden. Ky takim përbën një pranim se demokracitë e botës kanë nevojë për një strategji të re.

Gjatë 15 viteve të fundit, numri i njerëzve që jetojnë nën regjime autoritare është rritur, ndërsa udhëheqësit e shumë vendeve demokratike, kanë hequr dorë nga të drejtat themelore dhe kontrollet dhe ekuilibrat. Dhe këtë gjë e ka bërë të mundur korrupsioni.

Autokratët e përdorin pasurinë publike për të ruajtur qëndrimin e tyre në pushtet, ndërsa në një demokraci, korrupsioni i kalb nga brenda shoqëritë e lira. Konfliktet e pakontrolluara të interesit dhe zbatimi i pabarabartë i ligjit, po e gërryen besimin tonë tek institucionet e përbashkëta.

I njëjti kleptokrat, për të cilin Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar ndihmon në demaskimin e tij, përpiqet shpesh të investojë paratë e tij në tregjet e brendshme të mbikëqyrura nga thesari i SHBA-së. Në fakt, aktorët e korruptuar i fshehin paratë e tyre në Shtetet e Bashkuara gjatë gjithë kohës.

Ne nuk mund t’u ofrojmë më atyre një vend për t’u strehuar. Prandaj, lufta kundër korrupsionit jashtë vendit, fillon nga brenda SHBA-së, dhe hapi ynë i parë duhet të jetë ekspozimi i pronarëve të kompanive guackë, dhe i fondacioneve të tjera të paligjshme.

Në këtë kuadër, qeveria amerikane do të kërkojë nga shumë kompani nga SHBA dhe të huaja të raportojnë se kush janë pronarët e tyre të vërtetë, dhe të na përditësojnë me ndryshimet në drejtimin e tyre. Gjithashtu, ne po punojmë për të vendosur kritere reja të raportimit mbi transaksionet në sektorin e pasurive të paluajtshme, dhe do të angazhojmë edhe vende të tjera që t’i adresojnë këto çështje.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë një model për mbarë botën. Ideja e demokracisë është e pandashme nga ideja e Amerikës. dhe ne nuk mund ta mbështesim dot qeverisjen e lirë dhe demokratike jashtë vendit, në rast se vyshken nga brenda institucionet tona këtu në Amerikë.

Dhe për fat të keq, kjo është ajo që po ndodh. Për shembull, vitin e kaluar, më shumë se 600 miliardë dollarë nuk u vunë dot në dispozicion të taksapaguesve amerikanë. Ato janë fitimet e padrejta të korporatave të mëdha, të cilët përfitojnë nga sistemi ynë tatimor difektoz.

Natyrisht, ekziston një ndryshim midis një evazioni fiskal, dhe një autokrati që grabit arkën e shtetit, por pasojat financiare janë të njëjta. Ndaj Thesari i SHBA-së ka nevojë për më shumë burime, përfshirë më shumë auditë, për të gjurmuar evazionin fiskal, dhe dispozitat e aktit “Build Back Better” do të na ndihmojnë ta bëjmë këtë.

Natyrisht, lufta kundër korrupsionit, kërkon gjithashtu përpjekje të konsiderueshme jashtë vendit. Prandaj Shtetet e Bashkuara do të thellojnë dhe zgjerojnë mbështetjen për ata që luftojnë kleptokratët dhe aktorët e këqij, përmes një fondi të ri kundër korrupsionit.

Në Republikën Domenikane , Moldavi dhe Zambia, ne kemi parë politikanë të korrin fitore elektorale dërrmuese, duke konkurruar me platforma kundër korrupsionit. Ne duam të mbështesim reformat e tyre. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po rrisin mbështetjen e saj për mediat e pavarura dhe aktivistët e ojq-ve të ndryshme, të cilët rrezikojnë jetën e tyre për të ekspozuar aktet korruptive.

Këta aktivistë të guximshëm, luajnë shpesh rolin më të madh në rrëzimin e diktaturave, pasi ndërsa korrupsioni mund të nxisë autokracitë, ai mund të jetë gjithashtu Thembra e tyre e Akilit. Në vitin 2019, një vit rekord për protestat e mëdha në nivel global, afro gjysma u nxitën nga korrupsioni i ekspozuar, dhe ku 6 prej të cilave çuan në ndryshime në qeveri. Gjithashtu, ne do të synojmë të mbrojmë gazetarët ndërkombëtarë nga paditë, të cilat janë shndërruar në taktikat më të fundit të oligarkëve dhe autokratëve, që përpiqen të ndalojnë botimin e historive që ekspozojnë korrupsionin e tyre.

USAID po krijon një Fond global për Mbrojtjen ndaj Shpifjeve, për t’u ofruar gazetarëve ndihmë për t’i mbijetuar padive për shpifje, si dhe për të penguar në radhë të parë vetë paditë.

Së fundi, për shkak se qeveria nuk ka monopol mbi idetë e mira, USAID-i do të punojë me partnerët e shoqërisë civile dhe të sektorit privat që të grumbullojë mjete dhe teknologji të reja, për t’i penguar zyrtarët e korruptuar të plaçkitin burimet e vendeve të tyre, dhe t’i transferojnë ato përtej kufijve.

Këta hapa, pjesë e Strategjisë së re të SHBA-së në Luftën Kundër Korrupsionit , do të inkurajojnë aktivistët e qeverisjes së mirë, do të hedhin dritë mbi cepat e errëta të sistemit financiar global, do të bëjnë që më shumë dollarë nga taksat e amerikanëve të përdoren për përfitimin e të gjithëve, dhe do t’i parandalojnë kriminelët që të pastrojnë paratë përmes SHBA-së, apo edhe sistemeve financiare ndërkombëtare.

Mund të ketë gjithmonë njëfarë niveli korrupsioni, zyrtarë publikë që marrin ryshfete, apo dollarë të paligjshëm që rrjedhin nëpër ekonominë tonë. Por që të mbështetim demokracinë, ne duhet të përpiqemi t’i bëjmë të vështira dhe të rralla këto veprime, dhe jo të lehta apo të zakonshme./ “The Washington Post”/ Bota.al

 

Shënim: Janet L.Yellen është Sekretare e Thesarit në SHBA. Samantha Power, administratore e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).