Kanali 7...

Rama: 70% e tenderave, problematike, do ju çoj në SPAK nëse nuk reagoni pas rekomandimeve

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë paketën e re ligjore të prokurimeve publike. Para se të rendiste pikat kryesore të paketës, Rama bëri bilancin dhe doli në përfundimin se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme, pjesa më e madhe për hartimin e kritereve.

 

“Gjatë vitit 2020, rezulton se janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimeve Publike. 20% e institucioneve nuk kanë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore.”

 

Teksa ngriti shqetësimin që institucionet kanë “veshin e shurdhër” për rekomandimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike, shefi i qeverisë tha se nëse vijohet kështu, çështjet do të shkojnë në SPAK.

 

Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

 

“Të mos i hahet haku askujt. Kus he ka me hak, të marrë hakun. Kush s’e ka me hak, të mos marrë hakun e dikujt tjetër. Është shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet sepse procesi është i ndërlikuar, për të cilin edhe BE vazhdon të kërkojë rrugë dhe mjete ligjore për ta përsosur, por ama është plotësisht e mundur, objektivisht e mundur që në një kohë të shkurtër ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike. Duke bërë disa gjëra të thjeshta, duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak. Duke funksionuar si hallkë, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë 100% i garantuar. Duhet të ketë reflektim për rekomandimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Sikur rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhër sa të mos ketë asnjë përgjigje, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK. Do të shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj a është i qëllimshëm, a është thjeshtë injorancë, këtë çështje indifirentët përkatës ta shpjegojnë duke marrë avokatë me vete. Janë disa objektiva lehtësisht të realizueshëm nëse gjithë sistemi i prokurorimit konsolidohet në një proces, ku afatet janë të padiskutueshme. Jo afatet ligjore të tenderave, por afatet në drejtim në kthim përgjigjeje, në ndërveprim brenda përbrenda, në krijimin e një garancie për të gjithë operatorët që loja me afatet nuk funksionon më. Duhet të rrisim konkurencën dhe kjo kërkon rritjen e besimit sepse pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në procedurën e prokurimit, mbetet ende relativisht e ulët. Duhet një punë e posaçme për të rritur kapacitetet teknike sepse një pjesë e gjërave që ndodhin në proces dhe nuk garantojnë cilësi është paaftësi. Duhet rritur edhe përgjegjshmëria e autoriteteve kontraktore, në planifikim, orgnaizim dhe zhvillim procedurash. Shmangia e kritereve të qepurta me dorë që kufizojnë konkurencën me paketën e re ligjore është mundësuar të adresohet me efikasitet. Duhet bërë më shumë edhe për zbatimin e kontatave. Me ligjin e ri, titullarët e autoriteteve kontraktore janë përgjegjës për menaxhimin e fondeve.”